Tre të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan dalin sot para gjykatës

Tre të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan do të dalin të dielën para gjykatës.
Të shtunën, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi për arrestimin e tyre Halil Mehmetajt dhe dy djemve të tij, Kreshnikut dhe Malësorit.
Ata në ora 16:00 do të dalin para drejtësisë.
Këtë e ka kumtuar për SHQIP.COM zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
Familja e Mehmetaj mohon akuzat

Familja Mehmetaj thotë se tre anëtarët e arrestuar janë të pafajshëm e nuk kanë asnjë lidhje me rastin e Gllogjanit.
Të shtunën, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se janë arrestuar tre persona si të dyshuar për vrasjen në Gllogjan.
Ata janë Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij Kreshniku dhe Malësori. Ndaj tyre është vënë masa 48 orë paraburgim.
Por, djali tjetër, Kastritoti përmes një postimi në Facebook thotë se ka fakte për babain dhe vëllëzërit e tij që gjatë natës kur ndodhi tragjedia ata kanë qenë në mesin e njerëzve.
“Turp për të gjithë ata që iu gëzuan arrestimit të njerëzve të pafajshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, thotë se “e vërteta do të qartësohet”, duke aluduar në pafajësinë e familjarëve të tij.
Çka tha Prokuroria Themelore në Pejë?

Tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjant të Deçanit janë arrestuar.
Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, të shtunën – gjatë një konference për media.
Atyre i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, raporton Shqip.com.
“Pas këtij rasti kemi filluar hetimet intensive së bashku me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit dhe njësiteve relevante policore”.
“Me vendimin e Prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokurorja e çështjes ka lëshuar vendimin 48 orë për ndalim, ndërsa është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës tek gjyqtari i procedurës paraprake për jepjen e masës së sigurisë të së pandehurve”, tha ai
“Duke marrë parasysh, ndjeshmërinë e rastit, ne në këtë konferencë për shtyp nuk mund të japim informata të tjera që do ta dëmtonin procesin e hetimeve”.
“Ajo që ne zemërohemi është se edhe pas arrestimit do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme”, tregoi ai. /SHQIP.COM