Lajme

Miratohet Projektligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, procedohet në Kuvend

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akredimin është miratuar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvend, përcjell Shqip.com.

Sipas MASHTI-t, ky projektligj garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të AKA-së në fushën e akreditimit dhe validimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre akademike.

“Projektligj është në harmoni të plotë me standardet dhe procedurat evropiane (ESG) dhe si i tillë garanton ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, nxitë shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik, ndikon në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, transferin e teknologjisë dhe dijeve,  dhe krijon parakushte për ndërlidhjen e sistemit të arsimit me tregun e punës”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje MASHTI thekson se me këtë vendim, shkojnë drejt finalizimit të plotësimit të të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe resgjistrimin në Regjistrin Evropian për rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

“Me këtë vendim shkojmë drejt finalizimit të plotësimit të të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Me këtë ligj  pamundësohet poashtu çdo ndërhyrje politike, ndërhyrje këto që në të kaluarën e kanë goditur rëndë sistemin e arsimit në Kosovë. Pritet që i njejti të miratohet edhe në Kuvend brenda afateve të parapara”, njofton tutje Ministria./SHQIP.com