Rozë

“Boll Ma”- Estrada i bashkohet thirrjes për protestë para Qeverisë

Protesta e Gastronomëve dhe Odës së Hotelierisë e Turizmit të Kosovës

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda e Hotelierisë e Turizmit të Kosovës kanë paralajmëruar protestë para Qeverisë për shkak të pakënaqësisë me masat e reja kundër COVID-19.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në Facebook, ku me moton “Boll Ma”, ata bëjnë thirrje që t’i bashkohen protestës, e cila do të mbahet të mërkurën (15 dhjetor) në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Qeveria e Kosovës po na kufizon e po na mban mbyllë, pa na dhënë asnjë ndihmë. Na kanë burgosë e as bukë nuk na japin. Po i thërrasim e nuk na përgjigjen. Po i kërkojmë pak mëshirë, e të burgosur po na vrasin përditë. Që tre muaj jemi të shëruar e të vaksinuar, e kjo Qeveri po na mbajnë të izoluar. Po na shkatërrojnë ekonominë, e po na e rrisin varfërinë! BOLL MA! Durimit tonë i ka ardhë fundi!”, thuhet në njoftim.

Kësaj thirrje i janë bashkuar një pjesë e madhe e estradës të cilët po ashtu kërkojnë të rikthehen në normalitet, me mbrëmje e koncerte.

Dafina Zeqiri, Butrint Imeri, Don Xhoni, Robert Berisha, Mozzik janë disa nga emrat që kanë njoftuar që do të marrin pjesë në këtë protest.

Bashkangjitur në fotografi Roberti ka bërë thirrje që të këtë përkrahje masive nga estrada shqiptare.

Ndryshe, kjo proteste pritet të mbahet të mërkurën duke filluar nga ora 13:00./SHQIP.com