Escobar: SHBA mbështet “Ballkanin e Hapur” nëse është i hapur për të gjitha vendet

I Dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, deklaroi se e mbështesin “Ballkanin e Hapur”, nëse është i hapur për të gjitha vendet e rajonit, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata ai i bëri në prag të vizitës së parë zyrtare në Tiranë që do ta zhvillojë të enjten, më 9 dhjetor, shkruan Klan News.
“Ne mbështesim çdo përpjekje për integrimin ekonomik rajonal Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA-n dhe Ballkanin e Hapur. Për sa kohë që është e hapur për të gjitha vendet, për sa kohë që ofron sisteme ligjore dhe rregullatore dhe i ngre ato në nivel evropian, për sa kohë që promovon drejtësinë, tregtinë e hapur, ne do t’i mbështesim këto parime”, tha Escobar.
Tutje, ai theksoi se integrimit ekonomik duhet t’i paraprijë krijimi i institucioneve të forta teksa shtoi se administrata e re amerikane është e fokusuar në radhë të parë në problemin e korrupsionit.
“Nuk mund të kesh iniciativë për kufijtë e hapur nëse nuk ke rregullore të përshtatshme për hyrjen e njerëzve, kundër pastrimit të parave, kundër kontrabandës etj. Në fund të fundit, ekonomitë e kësaj zone nuk mund të funksionojnë nëse keni një treg prej 600,000 në Mal të Zi ose 2 milionë në Maqedoninë e Veriut.
Ju duhet një treg nga 20 milionë që të gjithë të marrin pjesë në të. Kjo është baza mbi të cilën ne kushtëzojmë mbështetjen tonë për ‘Ballkanin e Hapur’ ”, shtoi ai.
I Dërguari amerikan ka shprehur besimin se Shqipëria me shumë mundësi do të bëhet në të ardhmen anëtare e Bashkimit Evropian./SHQIP.com