Dardanët i mësojnë kundërshtarët e parakualifikimeve për Kupën e Botës
Armenia, Bullgaria, Skocia janë kundërshtarët me të cilët do përballet Përfaqësuesja e Kosovës në futsall – në kuadër të parakualifikimeve për “Kupës së Botës” që mbahet në vitin 2024.
Në shortin e hedhur sot, Dardanët janë pozicionuar në Grupin C, nga i cili do e kërkojnë kualifikimin tutje.
Sipas rregullores, tutje do të kualifikohen dy skuadrat e para nga çdo grup dhe gjasat janë reale për Kosovën.
Këto takime do të zhvillohen në muajin prill të vitit 2022.
Për këtë short, për faqen zyrtare të FFK-së, ka folur trajneri i Përfaqësues së Kosovës, Arben Simitçiu, i cili ka thënë ndër tjera se nuk ka qenë shumë i lehtë.

“Grupi është i vështirë por realisht çdo grup është i fortë, sepse sot futsalli në të gjitha shtetet e Evropës është ngritur në kualitet dhe ekipet janë shumë të mira. Për mendimin tim Armenia është ekipi më i fortë në grup, pasi ka 3-4 brazilianë të natyralizuar në ekip.
Po ashtu edhe Bullgaria është ekip i mirë që do të pretendojë ta kalojë grupin, duke e shfrytëzuar edhe faktorin e terrenit vendës, teksa duhet vlerësuar edhe kualiteti i Skocisë. Sidoqoftë, plani ynë është i qartë, bashkë me Dardanët e Kombëtares do të bëjmë çmos për ta kaluar grupin dhe të kualifikohemi në ‘Main Round’”, u shpreh Simitçiu.
Ndërsa, Shqipëria është e pozicionuar në Grupin E.
Kuqezinjët janë në grup me Suedinë, Andorën dhe Austrinë. /Shqip.com