“Cak i sulmit në Gllogjan ishte shoferi, dy vrasjet tjera ndodhën aksidentalisht”

Për vrasjen e trefishtë që ndodhi të premten e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, cak i sulmit ishte shoferi, thotë eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Kurse dy vrasjet tjera, sipas tij, ndodhën aksidentalisht.
“Mendoj që në bazë të asaj që kemi parë nga mediat në vend të ngjarjes ose në ballinën e autobusit, ku është xhami më i madh, vrasësi ka pikasur shoferin e autobusit, por i kanë ikur edhe dy plumba anash. Me ata dy plumba që është gjuajtur shoferi janë vrarë edhe dy të rinjtë tragjikisht”.

“Në fotografi mund të shihni që rreth shoferit është një rreth koncentrik prej pesë plumbave dhe targeti primar i vrasësit ka qenë shoferi. Ne mund të flasim edhe për motivin e tij dhe të paragjykojmë, por derisa të gjendet vrasësi dhe të përcaktohet motivi, nuk mund të dimë pse janë vrarë këta njerëz në një vend të banuar”, deklaron Musliu.
Musliu, në Rubikon në Klan Kosova, thotë se bazuar në rrethanat – vrasësi e ka pasur edhe një ndihmës.
“Për çudi, është mungesë e besimit ndoshta tek organet e policisë dhe ndjekjes. Askush nuk di asgjë që është e pamundur në një krim ose vrasje”.
“Vrasësi ose porositësi është gjithmonë afër. Nuk mund të jetë jashtë rrethit të parë të të vrarëve. Rrethi i parë është që është shumë afër atyre që janë vrarë, mund të jetë komshi, kushëri, mik ose i njohur, por aty diku është, s’mund të jetë jashtë atij rrethi – dorasi ose porositësi”.
Çka ndodhi në Gllogjan?
Vrasja në Gllogjan të Deçanit ka ndodhur mbrëmjen e 26 nëntorit, ku një autobus me nxënës që po qarkullonte nga Gjakova, u sulmua nga një person i maskuar, që përveç tri viktimave – një tjetër mbeti i lënduar.
Një ditë pas vrasjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë ultimatum kryesit të kësaj vepre që të dorëzohet para organeve të drejtësisë.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, deklaroi se dyshohet që vrasja është kryer nga një person, i cili nuk është identifikuar ende por ka mundësi që është ndihmar nga persona të tjerë.
Kurse, prokurorja e këtij rasti, Saide Gashi, i ka cilësuar hetimet si “jo të lehta”, duke shtuar se kanë siguruar disa informacione dhe që janë duke i gjurmuar për t’i vërtetuar ato.
Pas vrasjes së tre personave, kanë reaguar edhe ambasadat që janë në Kosovë si dhe partitë politike nga vendi e rajoni.
Viktimat e kësaj vrasjeje janë varrosur të dielën, më 28 nëntor, në varrezat e fshatit Gllogjan./SHQIP.com