Krerët institucionalë me homazhe te busti i Bob Dole: Përkulemi para kontributit të tij

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeminstri Albin Kurti, kanë bërë homazhe te busti i senatorit Bob Dole, me rastin e ndarjes së tij nga jeta, njofton Shqip.com.
Krerët institucionalë të hënën e 6 dhjetorit, vendosën kurora lulesh te busti i ish-senarorit Dole, me ç’rast edhe u deklaruan rreth veprës së tij dhe kontributit që i dha vendit për liri dhe pavarësi.
Kryeministri Kurti tha se përkulen para jetës dhe veprës së tij, për shkak të kontributit që ka dhënë.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, u shpreh se sot bënë homazhe duke i dhënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm të Kosovës.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se Kosova të dielen e humbi njërin prej miqve më të mirë që pati, pasi Dole në kohët më të rënda iu bë mik shqiptarëve.

“Kontributi i tij filloi qysh herët, gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe shqiptarët ishin në gjendje shumë të rëndë ku kishin nevojë për një mik të vërtetë. Populli i Kosovës por dhe kombi shqiptar në përgjithësi, do të jetë mirënjohës për jetën dhe veprën e senatorit të Bob Dole”, u shpreh Konjufca para mediave.
Sipas njoftimit nga Fondacioni Elizabeth Dole, ish-senatori ka vdekur në moshën 98 vjeçare.
Dole vdiq në gjumë, sipas një njoftimi nga Fondacioni Elizabeth Dole, shkruan USA Today. /Shqip.com