Edhe një paraqitje magjike nga Ciro Immobile

Humbja ndaj Napolit tashmë ka mbetur pjesë e së kaluarës.
Lazio i është rikthyer fitoreve në Serie A, pasi e ka mposhtur Sampordian me rezultat 1-3, ndërsa Immobile e dhuroi edhe një paraqitje magjike.
Skuadra e udhëhequr nga Maurizio Sarri ishte më kërkuese gjatë tërë takimit – duke mos lënë vend për befasi.
Pas vetëm shtatë minutave lojë, ishte Milinkovic Savic që shënoi golin e parë, për të kaluar mysafirët në epërsi.
Përderisa vendasit u munduan t’i barazojnë shifrat – ndodhi e kunderta.
Ciro Immobile e dyfishoi rezultatin, kur po zhvillohej minuta e 17-të.
Kapiteni i “Le Aquile” shënoi edhe një herë në minutën e 37-të, për të vulosur superioritetin e skuadrës së tij – qysh në pjesën e parë.
31 vjeçari golashënuesi më i mirë në këtë edicion të Series A.
Në 14-të ndeshje të zhvilluara, ai ka shënuar 13 gola, ndërsa ka asistuar dy herë.
Në anën tjetër, e gjitha çka mundën të bëjnë vendasit deri në fund të takimit, ishte shënimi i golit të nderit, me anë të Gabbiadini-t.
Me këtë fitore, Lazio pozicionohet në vendin e shtatë në futbollin elitar të Italisë, me 25 pikë të grumbulluara, pas 16-të ndeshjeve të zhvilluara.
Këtë kampionat, pikët e plota i kanë arkëtuar shtatë herë, ndërsa kane edhe katër barazime dhe pesë humbje.
Kurse, Sampdoria gjendet në vendin e 15-të, me 15 pikë.
Në këtë takim, Thomas Strakosha ishte titullar, ndërsa Vedat Muriqi luajti 44 minuta. /Shqip.com