Blerim e Lulzim Syla: Siç po shihet Albin Kurti e ka personale me ne

Siç po shihet Albin Kurti e ka personale me ne, kanë thënë Blerim e Lulzim Syla kur kanë komentuar shkarkimin e njërit dhe deklarimin e kryeministrit Albin Kurti edhe për shkarkimin e tjetrit.
Dy javë pas shkarkimit të Lulzim Sylës nga pozita e kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut, me arsyetimin se të njëjtit i është vazhduar mandati jashtëligjshëm, kryeministri Albin Kurti, shprehi dëshirën e tij që të bëhen ndryshime në krye të organizatave sindikale.
Teksa uroi që këto ndryshime të ndodhin, ai preku fushën e shëndetësisë, në krye të Federatës së Sindikatave të të cilës qëndron Blerim Syla – vëllai i Lulzimit.
Arsyetimi i Kurtit për dëshirën e shfaqur sot para mediave ishte se “punëtorët shëndetësorë nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo qofshin apo kudo që ata janë”.

Këtë qëndrim të kreut të Qeverisë, duke e lidhur me vendimin e para dy javëve për shkarkimin e Lulzimit, ai dhe Blerim Syla, po e shohin si personale me këtë familje, por nuk mund ta përkufizojnë pse.
“Se çfarë ka Kurti me këtë familje, e cila vetëm ka dhënë kontribut në këtë vend, duke filluar që para luftës, sa kam qenë student ku jam marrë me aktivitetet e studentëve, sidomos me Ambasadën e Shqipërisë, në demonstrata e në luftë, ku edhe një vëlla tjetër e kemi dëshmor, atë e vlerëson populli. Por si duket, ky njeri definitivisht e ka humbur mendjen”, ka thënë Blerim Syla për Shqip.com.
Se kjo nuk mund të cilësohet ndryshe, sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, kuptohet te fakti që vendimi për shkarkimin e Lulzimit ka mundur të merrej shtatë muaj më parë, por Kurti ka pritur që këtë veprim ta ndërmarrë një ditë para grevës.
“Vendimin për Lulzimin, Kurti ka mundur ta marrë shtatë muaj më parë, pra a është dashur të presë një ditë para grevës që të konstatojë se është jashtëligjshëm? Shtatë muaj Lulzimi ka funksionuar po me atë vendim të tyre, ka kryer punë për këtë qeveri. Le t’ia kujtojmë se ishte Lulzimi që i ka vu flamujt nëpër artikuj, e ka ndarë mallin nga Serbia dhe tani, një ditë para grevës atij i bie ndërmend se është jashtëligjshëm. Ky po shihet qartazi se ka qenë një presion”, thotë Syla.
Ndërkaq, sa i përket deklaratës së sotme, që kryesindikalistët duhet të ndërrohen, ai thotë se në aktivitetin e tij 10-vjeçar sindikal, asnjëherë nuk ka marrë kërcënime e shantazhe të këtij lloji sikurse sot nga Kurti.
“Z.Kurti po tenton të vë diktaturë, sepse ka harruar që politika nuk i emëron kryesindikalistët, por ata zgjedhen nga punëtorët, andaj prej momentit kur unë jam i zgjedhur nga punëtorët, ai nuk mund të përzihet në këtë çështje. Ju e dini që unë kam aktivitet 10-vjeçar sindikal, kam bërë greva e protesta, por asnjëherë nuk kam pasur këso lloj kërcënimesh, apo këso lloj shantazhi e presioni sikurse nga z.Kurti”, theksoi më tej Syla, duke shtuar se këtë e sheh shenjë hakmarrjeje nga Kurti.
Nga ana tjetër, Kryeinspektori tashmë i shkarkuar i Inspektoratit të Tregut, njoftoi se ka angazhuar një avokat që të merret me vendimin e jashtëligjshëm të Qeverisë, por i njëjti nuk ka dashur të komentojë mbi zhvillimet e sotme, në të cilat përfshihet aktiviteti i vëllait të tij.
“Unë mendoj që shkarkimi im është i jashtëligjshëm për këtë arsye edhe kam angazhuar edhe avokatin personal që të merret me këtë çështje, kurse sa i përket çështjes së sindikatave, ato janë të tjera për të cilat nuk mund të prononcohem unë”, tha ai.
I pyetur pse mendon që shkarkimi i tij erdhi një ditë para grevës së punëtorëve shëndetësorë, Lulzim Syla tha se kjo pytje duhet t’i shtrohet Qeverisë.
Deklarata e Kurtit, i cili thotë se duhet të bëhen ndryshime në çdo sferë, ashtu sikurse në politikë, nga kryesindikalisti shëndetësor, që indirekt është përfshirë në këtë deklaratë, po shihet si ndërhyrje që tenton kapjen e sindikatave në mënyrë që të mos ketë zë për t’u ngritur nga askush.
Ai paralajmëroi se do t’i kontaktojë ambasadat e huaja qysh të hënën e 6 dhjetorit.
“Kjo shkon në minus për këtë shtet, pasi siç kam paralajmëruar, nesër do të kontaktojë ambasadat e huaja dhe do t’ju tregoj për shqetësimin që kam ngritur, sepse në të vërtetë më nuk po ndihem i sigurt”, ka përfunduar Syla. /Shqip.com