Presidentja: Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen time

Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen e plotë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.
Kështu ka thënë vetë Osmani, teksa të martën ka shkruar në Facebook për emërimin e Bashkim Jasharit si komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“Bashkim Jashari i shërbeu atdheut atëherë kur populli ynë rrezikohej të shuhej nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Edhe tash e tutje do t’i shërbej shtetit të tij duke e udhëhequr ushtrinë e ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë të brezave të tërë”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se ishte nder i veçantë për të që ta emërojë Jasharin në krye të FSK-së.
“Në këtë detyrë të shenjtë gjeneralmajor Jasharit i uroj suksese, ndërkaq gjenerallejtënant Ramën e falënderoj për shërbimin e deritashëm”, deklaroi ajo.
Bashkim Jashari u emërua pasi Rrahman Rama dha dorëheqje.
Nga një pjesë e shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, por edhe opozitës – largimi i Ramës është parë si “presion nga pushteti”.
Një gjë të tillë Qeveria e ka mohuar. /Shqip.com