Lajme

BE thirrje Serbisë: Lejoni vizitat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë që t’i lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në territorin e tyre.

Ky prononcim i Stanos vjen, pasi autoritetet e Beogradit iu ndaluan disa ministrave të Qeverisë Kurti vizitën në Luginën e Preshevës.

Bëhet fjalë për Liburn Aliun, Arbërie Nagavcin, Hekuran Muratin dhe Hajrullah Çekun.

“I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejoj të zhvillohen vizita zyrtare që të plotësohen kushtet e lartpërmendura”, ka thënë Stano.

Lugina e Prreshevës

Ai po ashtu deklaroi se “vizitat zyrtare janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve dhe janë një mundësi për komunikim më të madh mes palëve”.

“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që do të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano për Telegrafin.

Përndryshe, nuk ishte theksuar asnjë arsye se pse ministrave të Kosovës iu ndalua vizita në Luginën e Preshevës.

Këtë veprim të Beogradit po atë ditë e ka dënuar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. /Shqip.com