Nxënësi i plagosur në Deçan, pritet të lirohet sot nga Spitali i Pejës

Nxënësi që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, pritet të lirohet të martën nga Spitali i Pejës.
Zëdhënësi i Spitalit, Naim Sahiti, për Shqip.com ka konfirmuar se pacienti do t’iu nënshtrohet edhe disa kontrolleve mjekësore paraprakisht.
Sipas tij, gjendja shëndetësore e pacientit është e mirë dhe stabile, por që do të ketë edhe disa ekzaminime mjekësore para lirimit të tij.
“Po pritet që po, por janë edhe disa konsultime me mjekë të profileve të tjera përveç ortopedëve ku është i shtrirë pacienti.
Gjendja e tij është mirë, ka avancuar përmirësim, mirë është gjendja por që do të kontrollohet edhe te neurologu dhe do të bëhen ekzaminime tjera, nëse të gjitha dalin në rregull, lirohet sot”, tha Sahiti.
Ndryshe, të premten, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi në Gllogjan, ku mbeti i vdekur shoferi dhe dy nxënës.
Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të arrestojë ndonjë të dyshuar për këtë rast, teksa për këdo që ka informacione lidhur me rastin, kanë ofruar si shpërblim 20 mijë euro.
Ndërkaq, lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se “hetimet nuk janë të lehta”, por që kanë siguruar disa informacione dhe që janë duke i gjurmuar për t’i vërtetuar ato./SHQIP.com