Varianti Omicron, Biden: Një bllokim i ri është i panevojshëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur variantin e ri të të COVID-19, Omicron, një “shkak shqetësimi, jo shkak për panik”, transmeton Shqip.com.
Kështu është shprehur ai një ditë pasi u zbulua ky variant në Amerikën e Veriut.
Ai tha se nuk e sheh nevojën për një bllokim të ri “për momentin… nëse njerëzit janë të vaksinuar dhe mbajnë maska”.
Rastet janë gjetur në Kanada dhe SHBA-ja ka vendosur ndalime udhëtimi në tetë vende të Afrikës Jugore, raporton ‘BBC’.
I pari i SHBA-së më tej shtoi se kompanitë farmaceutike po bënin plane emergjente për injektime të reja në rast se ato nevojiten.
Në Shtëpinë e Bardhë të hënën e 29 nëntorit, presidenti tha se ishte “pothuajse e pashmangshme” që Omicron, i raportuar për herë të parë nga Afrika e Jugut, të gjendej përfundimisht në SHBA.
“Ne do të luftojmë dhe do ta mposhtim këtë variant të ri,” tha ai.
Derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka konsideruar Omicron një “variant shqetësues”, ende nuk është e qartë nëse ai lidhet me më shumë transmetim apo më shumë rrezik për shmangien e vaksinave. /Shqip.com