Lajme

“Nuk kishte probleme me linjat e autobusëve”, flet familjari i shoferit të vrarë në Gllogjan

Autobusi që u sulmua në Gllogjan

Afrim Gjokaj, familjar i Gani Gjokat, shoferit i cili mbet i vdekur të premten mbrëma kur autobusi që po drejtonte u sulmua me plumba në Gllogjan të Deçanit, ka mohuar që kushëriri i tij të ketë pasur probleme në lidhje me bizneset.

Ai thotë se me sa ka dijeni, tashmë i ndjeri, Ganiu, nuk ka pasur problem me askënd.

“Nuk ka pasur probleme me linjën e autobusëve. Ai me thënë të drejtën madje nuk ka pasur as konkurrencë për këtë linjë”, është shprehur Gjokaj në emisionin “Debat Plus”.

Afrim Gjokaj thotë se ka qenë një person shumë i besuar i tashmë të ndjerit Gani Gjokaj, dhe sipas tij, ai nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim se ka pasur ndonjë problem me ndonjë person për çështje linjash.

“Besoj se mua do të më kishte thënë pasi kam qenë person shumë i afërt me të. Pos ndonjë zënke të vogël për vonesa 5-minutëshe, ai asnjë problem nuk ka pasur”.

Afrimi thotë se Gani Gjokaj një pjesë të nxënësve i ka vozitur edhe pa pagesë për shkak të gjendjes financiare.

“Ai atë linjë e ka pasur edhe si çështje humanitare”, tregon tutje familjari i shoferit të vrarë në Gllogjan.

Afrim Gjokaj, familjari i Gani Gjokajt

Ndryshe, mbrëmjen e 26 nëntorit, një person në Gllogjan të Deçanit, ka sulmuar me armë zjarri një autobus me nxënës, duke lënë të vdekur shoferin dhe dy nxënës.

Policia e Kosovës është deklaruar për rastin duke thënë se ende nuk është i qartë motivi i sulmit, teksa kanë shtuar se nuk kanë arsye për të besuar se ka të bëjë me një akt terrorist.

Policia po ashtu ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacione për sulmuesin dhe që çon në zbardhjen e këtij rasti.

Kurse, të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media nga Stacioni Policor në Deçan, i ka bërë ultimatum kryesit të kësaj vepre që të dorëzohet para organeve të sigurisë./SHQIP.com