Lajme

PSD aksion simbolik – Kurtit: Dil dhe voto për Bashkim Kombëtar

Aksioni simbolik i PSD-së.

Partia Socialdemokrate e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin që të votojë në referendum për Bashkim Kombëtar.

Përmes një aksioni simbolik kërkuan  nga kryeministri që ta bëjë këtë.

Zyrtari i kësaj partie, Nol Nushi, tha se ia kanë mundësuar teknikisht kryeministrit që ta shpreh vullnetin e tij.

“Meqense ka deklaruar, ia mundësuam që të  votojë këtu para Qeverisë, meqenëse i ka 700 punë”, tha Nushi.

Çka ka deklaruar Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit.

Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, ka thënë se nëse do të prezantohej ndonjë referendum në formë demokratike për bashkim me Shqipërinë atëherë do ta votonte atë.

Këtë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e tha për “Monocole”, më 20 nëntor

Ka theksuar se është votuar nga qytetarët për të hapur vende të reja pune e ta luftojë korrupsion.

Këto thotë janë prioritetet e qeverisjes së tij gjatë këtij mandati, pa përjashtuar bashkimin me Shqipërinë, por më vonë – jo tash menjëherë.

“Por në të ardhmen nuk do ta përjashtoja, sidoqoftë për stabilitet në rajon më e mira do të ishte nëse gjashtë vendet e Ballkanit të hynin në BE”, ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu tha se më 17 shkurt 2008, Kosova nuk e shpalli shtetin kundër Shqipërisë, por ndaj Serbisë.

Duke përmendur atë që Kosova dhe Shqipëria i përkasin një kombi.

“Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik, që do të kryej në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përsëris vetëm nëse bëhet në formë demokratike”. /Shqip.com

Albin Kurti dhe Bashkimi Kombëtar.

Albin Kurti si opozitar

Në fillet e tij opozitare, Albin Kurti e kishte në epiqendër të diskursit bashkimin me Shqipërinë.

Ai akuzonte politikanët se po e largojnë Kosovën nga Tirana.

Mbi këtë pretendim, Kurti për një kohë të gjatë e kishte injoruar flamurin e Kosovës.

Tash thotë se e respekton brenda institucioneve, mbase në shumë tubime partiake shihet veç flamuri kuq e zi.

Opozita në vend e akuzon atë për “ndryshim qëndrimesh”, pasi e mori pushtetin.

Por, kreu i ekzekutivit pretendon nuk ka hequr dorë nga ideja, duke aluduar se prioritet është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Shqip.com