Lajme

Qarkullimi në kufirin Kosovë – Shqipëri do të bëhet pa ndalesë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë 2021

Qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë para sezonit të verës së vitit të ardhshëm do të bëhet pa ndalesa në kufi, përcjell Shqip.com.

Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë që po mbahet të premten në Elbasan.

Lexo edhe:
Kurti: Të flasim si diplomatë e të punojmë si patriotë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, tha se për lehtësimin e qarkullimit, do të vendoset një sistem kamerash që do të regjistrojnë çdo makinë që qarkullon.

“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim.

Kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi deklaroi se kanë marrë të gjitha masat që për festat e 28 nëntorit të mos ketë asnjë pengesë në qarkullim.

“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha ai.