Historia e Nue Nrecës, nga Liga e Dytë e Kosovës – në Superligën e Kroacisë

Vitin e kaluar luante në Ligën e Dytë të Kosovës, ndërsa tashmë po e shijon Superligën e Kroacisë.
Nue Nreca nga Gjakova, ka bërë një nga “kapërcimet” më të mëdha të viteve të fundit në futbollin vendor, duke treguar që me punë mund të arrihet gjithçka.
Mbrojtësi i krahut të majtë, është transferuar nga KF Rahoveci te Nk Hrvatski Dragovoljac.
Ani pse rruga deri te suksesi nuk ka qenë e lehtë dhe as e shkurtër për të, Nreca nuk është ndalur asnjëherë së punuari për të realizuar ëndrrat.
Për Shqip.com, ai ka treguar për fillimet e tij në futboll, transferimin në Kroaci, dhe planet e së ardhmes.
“Kam filluar të stërvitem qysh në moshën tetë vjeçare, në KF Gjakova. Fatmirësisht, gjithmonë e kam pasur mbështetjen e familjes time dhe të shoqërisë dhe do jem mirënjohës përgjithmonë”, tha fillimisht ai.

Nreca po ashtu shtoi se pa mbështetjen e dhënë nga ta, nuk do të korrte kurrë suksese.
20 vjeçari tregoi edhe detajet e transferimit të tij te skuadra kroate.
“Trajneri i Nk Hrvastski Dragovoljac, e kontakoi menaxherin tim, pasi ai më njihte, për shkak se kam qenë në prova në Dinamo Zargeb, kur kam qenë 15 vjeçar. Pas kompletimit të këtij transferimi, u ndjeva shumë mirë. Sepse ëndrra që e kisha në fëmijëri u bë realitet dhe këtë tashmë mund të bëj krenarë njerëzit që më qëndruan gjithmonë pranë”, u shpreh Nreca.

Për shkak të pozitës në të cilën luan, ai thotë se futbollist të preferuar e ka Marcelo-n, i cili njihet për siguri në repartin defanziv, ndërsa ka kontroll të jashtëzakonshëm të topit gjithashtu.
Për fund, talenti nga Gjakova tregoi edhe synimet e tij për të ardhmen, duke mos e mohuar dëshirën që të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.
“Qëllimi im është që të punoj fort dhe t’i mbërrij top ligat evropiane, ndërsa dëshira ime më e madhe është që ta përfaqësoj shtetin tim të dashur, ku edhe jam rritur”, u shpreh për fund Nue. /Shqip.com
