AAK-ja shpall zgjedhjet e brendshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e brendshme të cilat do të mbahen duke filluar nga 1 dhjetori 2021.
Vendimi është marrë në mbledhjen e së martës të Këshillit Drejtues të partisë.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të AAK-së, është vendosur që zgjedhjet e brendshme të mbahen prej datës 1 dhjetor 2021”, thuhet në komunikatën për media të AAK-së, parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
“Procesi zgjedhor përfundon me 1 qershor 2022 dhe do të mbahet në të gjitha nivelet dhe forumet e AAK-së. Suksese të gjithë atyre që do të jenë pjesë e garës zgjedhore!”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar pesë komuna në zgjedhjet lokale të vitit 2021, sipas rezultateve preliminare të balotazhit të 14 nëntorit.
Kjo parti në rundin e parë të zgjedhjeve e ka fituar Deçanin dhe Suharekën, ndërsa në rund të dytë ka shumicën e votave në Gjakovë, Rahovec dhe Klinë./SHQIP.com