Emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë, reagon Grenell
Richard Grenell, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka përshëndetur emërimin e Jeffrey Hovenier si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
“Urime Jeff”, ka shkruar shkurt Grenell në Twitter, të premten.
Congratulations, Jeff. https://t.co/pJjPi2E0xo
— Richard Grenell (@RichardGrenell) November 19, 2021
Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Këtë zyrtarisht e ka konfirmuar Senati amerikan.
Hovenier është nominuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në korrik të këtij viti – si pasuesi i ambasadorit aktual të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Lidhjen e ngushtë me Kosovën, Hovenier e kishte konfirmuar në vitin 2018, kur ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur ai.
Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore./SHQIP.com