“Lëvizja e Rrugës” rrezikon të mbetet rrugëve nëse nuk kthehet në formacion politik
Redaksionale
Prej 31 majit, nën emrin e “Revolucionit Flamingo”, një grup protestuesish vijon të sfidojë qeverinë përmes protestave në rrugët e Tiranës. Kanë kaluar rreth 170 ditë, gati gjashtë muaj, dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë njerëz që enden rrugëve, me kërkesa dhe objektiva që, pavarësisht kohëzgjatjes së aksionit, ende nuk kanë marrë formën e një platforme të qartë politike.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë anulimi i akteve ligjore që lidhen me investimet në zonat e mbrojtura, ndalimi i planeve të zhvillimit në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit, projekte që lidhen me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Paradoksalisht, pavarësisht kërkesës për largimin e kryeministrit, protestuesit nuk kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Në një sistem demokratik, një qeveri e ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve legjitime dhe e mbështetur nga një shumicë parlamentare prej 83 mandatesh, siç ndodhi me Partinë Socialiste më 11 maj 2025, sfidohet politikisht përmes votës. Por “Lëvizja e Rrugës” duket se përjashton paraprakisht çdo skenar të kësaj natyre.
Mesazhi i saj është i prerë, kërkohet largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie kujdestare me mandat njëvjeçar. Vetëm pas përfundimit të këtij mandati do të diskutohej mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por çfarë përfaqëson realisht kjo lëvizje dhe kush e merr përgjegjësinë për ta çuar atë përtej protestës së rrugës?
Në këta gati gjashtë muaj nuk ka spikatur asnjë drejtues me aftësi bindëse, me artikulim politik dhe me kredibilitetin e nevojshëm për të përfaqësuar protestuesit. Nuk ka dalë në skenë një figurë që të jetë në gjendje të shpjegojë qartë se çfarë kërkon kjo lëvizje, si synon t’i realizojë objektivat e saj dhe çfarë ofron si alternativë qeverisëse.
Mungon një bord drejtues, mungon një ekip i mirëfilltë politik dhe, mbi të gjitha, mungon një platformë apo program që t’u japë qytetarëve një ide konkrete se çfarë do të ndodhte nëse kjo lëvizje do të merrte përgjegjësinë për të qeverisur. Nuk ka as një grup përfaqësuesish që të dalë publikisht, të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një identitet politik të dallueshëm. Pa këto elemente, është e vështirë që qytetarët të krijojnë pritshmëri reale për të ardhmen e saj.
Përkundrazi, edhe pas gjashtë muajsh, një pjesë e organizimit vijon të funksionojë në kushte anonimiteti, përmes grupeve në WhatsApp dhe Telegram, ku, sipas denoncimeve dhe materialeve të publikuara tanimë, ndahen udhëzime për veprime të dhunshme në rrugët e Tiranës, siç kemi parë nga data 13 Tetor e këtej.
Kjo është një tjetër pikë e dobët e lëvizjes.
Një aksion që pretendon të luftojë për demokraci dhe mirëqeverisje nuk mund të ndërtojë identitetin e tij mbi dhunën, shkatërrimin dhe mungesën e transparencës. Nëse synon të jetë alternativë politike, duhet të dëshmojë se di të respektojë rregullat demokratike, të marrë përgjegjësi publike dhe të ofrojë një vizion përtej rrëzimit të kundërshtarit.
Fundja, kush janë këta njerëz dhe çfarë garancish ofrojnë se dinë të qeverisin? Shkatërrimi i pronës publike, sulmet ndaj bizneseve private në Tiranë, përplasjet dhe aktet e dhunshme nuk janë dëshmi e aftësisë për të ndërtuar institucione apo për të administruar një vend. Përkundrazi, ato ngrenë pikëpyetje serioze mbi modelin e qeverisjes që mund të ofrohet. Është njësoj sikur të kërkosh nga talebanët në Afganistan të ndërtojnë një sistem demokratik, kur pushtetin e kanë marrë dhe e mbajnë përmes forcës dhe dhunës.
Prandaj, “Lëvizja e Rrugës” ndodhet përballë një prove vendimtare. Nëse nuk arrin të formalizohet si një formacion politik, me drejtues të identifikueshëm, përfaqësim publik, program dhe një strategji të qartë, rrezikon të mbetet thjesht një protestë rrugësh, deri në shuarjen e plotë.
Ky do të ishte fataliteti i një aksioni gati gjashtëmujor, të mos arrinte t’i imponohej pushtetit dhe sistemit aktual, jo për mungesë kohe apo pakënaqësie qytetare, por për shkak të mungesës së organizimit, të vizionit dhe të një alternative politike konkrete.
Nëse kemi të bëjmë thjesht me paaftësi për t’u organizuar, atëherë kjo lëvizje ka nevojë për një konsulencë politike nga jashtë vendit, për njerëz që dinë të ngrenë kanalet e komunikimit, të ndërtojnë një strukturë, të hartojnë një platformë dhe ta kthejnë pakënaqësinë qytetare në një alternativë politike. Por, nëse mosorganizimi është i qëllimshëm dhe kjo lëvizje nuk ka asnjë synim të shndërrohet në një formacion politik, duke preferuar të endet rrugëve ditë pas dite, atëherë lind një pyetje shumë më serioze; mos vallë objektivi i saj nuk është ndryshimi politik, por destabilizimi i vendit?
Dyshimet për një skenar të tillë ushqehen edhe nga ajo që pamë në ditët e para të protestave, kur vala e akteve të dhunshme u përhap në disa qytete të vendit, për tri-katër ditë radhazi, përpara se të shuhej gradualisht në rrethe. Ky episod ngre pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit, koordinimit dhe objektivat e vërteta të një aksioni që, edhe pas gati gjashtë muajsh, nuk ka arritur të përcaktojë qartë se çfarë kërkon të ndërtojë përtej protestës dhe përplasjes me institucionet.
Sepse, në planin afatgjatë, këto akte të dhunshme dhe shkatërruese po prodhojnë një efekt të kundërt, po ushqejnë një klimë urrejtjeje dhe refuzimi në rritje nga ana e qytetarëve ndaj këtij grupi protestuesish. Në vend që të zgjerojnë mbështetjen dhe të fitojnë simpatinë publike, rrezikojnë të izolojnë gjithnjë e më shumë vetveten nga shoqëria që pretendojnë se përfaqësojnë.
Nëse aktet e dhunshme në Tiranë do të vijojnë, duke dëmtuar pronën publike dhe bizneset private, atëherë rreziku është që qytetarët të ndihen të detyruar të marrin vetë masa për të mbrojtur atë që u përket, shtëpitë, automjetet, bizneset dhe pronat e tyre nga çdo kërcënim që mund të vijë prej individëve të maskuar, të cilët vetëidentifikohen si protestues antiqeveritarë.
Një situatë e tillë do të ishte veçanërisht shqetësuese, pasi do ta zhvendoste konfliktin nga përplasja me institucionet drejt një përplasjeje të mundshme mes vetë qytetarëve.
©Shqip.com