Vijojnë problemet te Credins Bank, klientët denoncojnë: ATM-të jashtë funksionit, na mbahen kartat dhe nuk tërheqim dot pagat
Shqetësimet për shërbimet e Credins Bank vijojnë të shtohen. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme të ditës së djeshme për karta të bllokuara në bankomate dhe llogari që shfaqeshin të zeruara, në redaksinë e Shqip.com kanë mbërritur ankesa të tjera nga klientët e kësaj banke.
Këtë herë, qytetarët denoncojnë se ATM-të e Credins Bank janë jashtë funksionit, duke e bërë të pamundur kryerjen e veprimeve bankare dhe tërheqjen e parave.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së Shqip.com, duke treguar se bankomati i ka bllokuar kartën e debitit dhe se, si pasojë, nuk arrin të tërheqë pagën e tij. Një situatë që përveç shqetësimit financiar, ka shtuar edhe pasigurinë te klientët që nuk arrijnë të aksesojnë paratë e tyre. Shqip.com ka marrë edhe një tjetër nga një qytetar dhe shqetësimi është po njësoj në vija të përgjithshme.
Qytetarët shprehen të alarmuar për atë që po ndodh me shërbimet e bankës, ndërsa denoncimet e përsëritura ngrenë pikëpyetje mbi përmasat reale të problematikës.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është mungesa e një komunikimi të qartë dhe transparente me klientët nga Credins Bank. Sipas denoncuesve, banka nuk pranon se bëhet fjalë për një problem më të gjerë, duke i konsideruar rastet e raportuara si incidente të izoluara.
Por si mund të konsiderohen të izoluara këto raste, kur në redaksinë e Shqip.com kanë mbërritur denoncime të shumta nga klientë të ndryshëm, të cilët raportojnë problematika të ngjashme?
Në vend që të marrin përgjigje konkrete, qytetarët vijojnë të përballen me pasiguri për kartat e tyre të debitit, aksesin në llogaritë bankare dhe mundësinë për të tërhequr kursimet apo pagat mujore.
Përtej defekteve të mundshme teknike, situata ngre një tjetër çështje thelbësore: transparencën e institucionit financiar ndaj klientëve të tij.
Pse Credins Bank nuk ka dhënë deri më tani një sqarim të plotë për problematikat e raportuara? A janë të sigurta kartat e debitit dhe llogaritë bankare të qytetarëve? Sa klientë janë prekur realisht dhe kur pritet të rikthehen shërbimet në normalitet?
Mungesa e informacionit dhe e një komunikimi transparent rrezikon të thellojë mosbesimin e klientëve ndaj bankës, veçanërisht kur bëhet fjalë për paratë dhe kursimet e tyre.
Shqip.com do të vijojë të ndjekë denoncimet e qytetarëve dhe pret një reagim zyrtar nga Credins Bank për të sqaruar situatën dhe për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të klientëve.
©Shqip.com