Lajme

Berisha si Rama, sfidon protestuesit: Nuk jap dorëheqje, kjo nuk ndodh kurrë!

Kryetari i PD, Sali Berisha refuzon, njësoj si kryeministri Edi Rama, thirrjen e protestuesve për të dhënë dorëheqje nga politika aktive. Nga oborri i Parlamentit, Berisha deklaroi se ai nuk mund të krahasohej me Edi Ramën.

Lideri i opozitës tha se po të largohej ai nga politika, kryeministri Edi Rama do të forcohej.

“Kjo nuk ndodh kurrë, është absurde. Kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën dhe të lash dorën e tij të zezë. Lëpirësit dhe puthadorët e Ramës thonë ashtu. Të na krahasosh ne të dy është të krahasosh ditën me natën. Tani ka një opozitë të vërtetë”, tha ai.

Deklarata

Pyetje: Dhe një pyetje tjetër, nuk është vetëm çështja për situatën tani, ekziston një urrejtje shumë e madhe ndaj klasës politike në Shqipëri, kryesisht nga të rinjtë. Ju patët një betejë që e bëtë edhe për sanksionet, po edhe për sovranitetin e Partisë Demokratike. Në këtë situatë, pasi rinia ngrihet a ka rënë, e keni menduar ndonjëherë të jepni ju shembullin i pari dhe të jepni dorëheqjen, meqë Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen?

Sali Berisha: Për të lehtësuar Edi Ramën? Jo, kjo është absurde. Përkundrazi kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën, të lësh dorën e tij të zezë të veprojë si të veprojë me opozitën. Sigurisht, janë lëpirësit dhe puthadorët e Ramës ata që thonë kështu. Vetëm ata e thonë këtë, se të krahasosh Sali Berishën me Edi Ramën, është të krahasosh ditën me natën, të krahasosh të pakrahasueshmen, në çdo aspekt. Në të gjitha aspektet. Natyrisht ka një problem, ka një problem sepse ka një opozitë të vërtetë tani, që i qëndron dhëmbë për dhëmbë atij, dhe ai e kishte në kontroll opozitën. Ndaj dhe këta të verbër që nuk pranojnë narkoshtetin, këta të verbër që nuk pranojnë farsën zgjedhore, këta të verbër që ushqehen nga mbetjet e darkave të narkosve dhe të qeverisë, këta tani kërkojnë të dizinformojnë duke korruptuar fjalën dhe mendimin se opozita, se Berisha dhe Rama janë njëlloj, se po iku Berisha do ikë Rama.
Këta s’duan opozitë. Këta duan Ramën në pushtet dhe s’duan opozitë.

Pyetje: Kjo do të thotë të hapni rrugën të rinjve, sepse për sa kohë që ju jeni në politikë dhe në Partinë Demokratike, nuk besoj se mund të dalë dikush tjetër që do jetë gjithmonë në hijen tuaj?

Sali Berisha: Kushdo të dalë është i hapur gara. Kjo parti bën zgjedhje me të gjithë anëtarësinë një herë në katër vjet. Ajo partia tjetër nuk bën zgjedhje nga 2009 gjë sot, urdhëro.

Pyetje: Të njëjtën gjë thotë edhe kryeministri Rama.

Sali Berisha: Çfarë thotë?

Pyetje: Do ta marr pushtetin, ta marr me votë, njësoj si po thoni ju për garën brenda Partisë Demokratike.

Sali Berisha: Shumë e bukur, po të bëhet votë ne s’po kërkojmë asgjë tjetër vetëm votë. Po ama një gjë kemi bërë, në këtë mjedis ku korrupsioni gjuhësor është ligj, ne kemi arritur ndërkombëtarisht, por edhe në një pjesë të mediave, të faktojmë që zgjedhjet ishin farsë. Zgjedhjet farsë nuk i fiton kurrë askush tjetër përveç diktatorit. Zgjedhjet e vërteta as i fiton kurrë ai, i fiton opozita.

©Shqip.com