Kur gurët zëvendësojnë argumentet, humbet edhe protesta edhe shteti
Nga Klementin Mile
A mbetet protestë ajo që nuk dëshmon më asgjë?
Një protestë studentore nis me një kërkesë për arsimin.
Pastaj, përpara Ministrisë së Arsimit, shfaqen gurë, flakadanë, xhama të thyer dhe policia.
Në atë çast konflikti ndryshon natyrë.
Godina nuk është më vendi ku duhet të dëgjohen studentët, por bëhet simbol. Për protestuesit, një institucion që duhet detyruar të reagojë; për shtetin, rend që duhet mbrojtur.
Termi ‘protestë’ vjen nga latinishtja protestari, ‘të dëshmosh haptazi’.
Protesta, pra, është dëshmi, jo goditje.
Një xham i thyer nuk dëshmon asgjë për arsimin; tregon vetëm se dikush ka gur në dorë.
Studentët kanë të drejtë të kërkojnë kushte më të mira dhe mundësi reale për të ardhmen. Por asnjë kauzë nuk e kthen dëmtimin e pronës publike në argument politik.
Xhon Lok e përcakton gjendjen e luftës si përdorim force pa të drejtë, dhe paqen si gjendjen ku forca përdoret vetëm me të drejtë.
Dhe më tej shkruan se e drejta për t’i rezistuar autoritetit nuk ekziston, aty ku mund t’i drejtohesh ligjit.
Por kjo vlen vetëm nëse ligji dëgjon vërtet.
Sepse shoqëria civile, po sipas Lokut, dallohet nga gjendja e natyrës, ngaqë ka një gjykatës të përbashkët me autoritet.
Shteti, pra, nuk është mur me xhama, por ai që duhet të dëgjojë dhe të gjykojë.
Çfarë ndodh kur ky gjykatës nuk dëgjon?
Policia mund ta zbrazë oborrin e ministrisë, por jo shoqërinë nga pakënaqësia.
Protestuesit mund t’i thyejnë xhamat, por kjo nuk u jep të drejtën të vendosin për arsimin.
Kontrolli i godinës nuk është zgjidhje; dëmtimi i saj nuk është fitore.
Shteti që sheh vetëm gurët, rrezikon të mos shohë zemërimin.
Protesta që sheh vetëm godinën, rrezikon të humbasë kërkesën.
Të dyja palët e kanë harruar që institucioni nuk matet me murin që mbron, por me problemin që zgjidh.
Gurët nuk dëshmojnë asgjë.
Dëshmojnë vetëm se askush nuk po dëgjon.
©️Shqip.com