Lajme

E plotë/ Të gjitha ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale

Kodi i Procedurës Penale pritet t’i nënshtrohet një prej ndërhyrjeve më të mëdha që prej Reformës në Drejtësi të vitit 2017. Projektligji i ri synon të ndryshojë një pjesë të rëndësishme të mënyrës se si zhvillohen hetimet penale, vendosen masat e sigurimit, mblidhen provat, ushtrohet mbrojtja dhe bëhen publike informacionet nga dosjet penale.

Sipas relacionit shpjegues, kjo konsiderohet reforma e dytë më e rëndësishme e Kodit që prej miratimit të tij në vitin 1995. Qëllimi i deklaruar është forcimi i garancive për procesin e rregullt ligjor, veçanërisht për personin nën hetim dhe të pandehurin, duke ruajtur njëkohësisht efektivitetin e hetimit dhe gjykimit.

Ndryshimet janë organizuar në tetë shtylla dhe prekin çështje që variojnë nga arresti në burg dhe aksesi i mbrojtjes në provat e prokurorisë, deri te telefonat dhe provat dixhitale, përgjimet, publikimi i materialeve hetimore dhe transmetimi i seancave gjyqësore.

Arresti në burg synohet të kthehet në masë të fundit

Një nga ndryshimet më të rëndësishme prek paraburgimin. Masat shtrënguese, si rregull, do të mund të vendosen vetëm për vepra penale për të cilat dënimi maksimal është më i lartë se tre vjet burgim. Përjashtime parashikohen për raste të caktuara, përfshirë shkeljen e masave të mëparshme dhe disa kategori veprash penale.

Pragu bëhet edhe më i lartë për arrestin në burg. Projektligji përcakton se kjo masë nuk mund të vendoset për kundërvajtje penale dhe, si rregull, as kur maksimumi i dënimit të parashikuar është më i ulët se pesë vjet burgim.

Gjykata duhet gjithashtu të argumentojë përse masat e tjera, edhe të kombinuara mes tyre, janë të pamjaftueshme dhe, në mënyrë të posaçme, përse arresti në shtëpi nuk mund të përmbushë nevojat e sigurimit.

Relacioni argumenton se nevoja për masën duhet të provohet mbi fakte dhe sjellje konkrete dhe se natyra apo rrezikshmëria e veprës penale, e marrë më vete, nuk duhet të jetë e mjaftueshme për privimin e lirisë.

Reforma merr rëndësi edhe për shkak të të dhënave mbi kohëzgjatjen e paraburgimit. Relacioni citon të dhëna sipas të cilave kohëzgjatja mesatare arrin në 253 ditë në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe në 616 ditë në Gjykatën e Posaçme, kundrejt rreth 155 ditëve të raportuara si mesatare e BE-së.

Mbrojtje shtesë parashikohet për kategori të caktuara, mes tyre gratë shtatzëna, prindërit në rrethana të caktuara me fëmijë deri në 6 vjeç, personat mbi 70 vjeç dhe personat në gjendje veçanërisht të rëndë shëndetësore.

Garancia pasurore bëhet alternativë e detyrueshme për t’u shqyrtuar

Një tjetër ndryshim i fortë prek garancinë pasurore. Kur cakton arrestin në shtëpi ose arrestin në burg, gjykata, sipas projektit, do të jetë e detyruar të përcaktojë edhe vlerën e garancisë pasurore që mund të depozitohet si alternativë, me përjashtimet e parashikuara nga Kodi.

Shuma do të përcaktohet duke marrë parasysh nevojat reale të sigurimit, rrethanat personale dhe familjare dhe gjendjen financiare të personit. Pas depozitimit, prokurori duhet të verifikojë dokumentacionin dhe të veprojë, sipas rastit, për lirimin ose konfirmimin e masës brenda afateve të përcaktuara.

Shtohen gjithashtu masa të reja, si largimi nga banesa familjare dhe ndalimi i kontaktit apo afrimit me persona ose vende të caktuara.

Mbrojtja fiton të drejtën të zhvillojë hetimin e saj

Një nga risitë më të mëdha konceptuale është krijimi i institutit të “hetimeve të mbrojtjes”, i frymëzuar sipas relacionit nga modeli italian i indagini difensive.

Avokati do të mund të ndërmarrë veprime për mbledhjen e elementeve në favor të klientit, të marrë deklarime, të sigurojë dokumente nga administrata publike dhe të kryejë verifikime. Materialet e mbledhura përfshihen në një fashikull të mbrojtjes, i cili mund t’i paraqitet gjyqtarit dhe, pas përfundimit të hetimeve paraprake, bëhet pjesë e dosjes së prokurorit.

Relacioni e paraqet këtë si kalim drejt një barazie më reale të armëve mes akuzës dhe mbrojtjes.

Prokuroria duhet t’i japë të pandehurit provat

Projektligji ndërhyn që në nenin 24 të Kodit. Prokurori do të jetë i detyruar t’i vendosë në dispozicion të pandehurit të gjitha provat që disponon rreth procedimit dhe, në momentin e njoftimit të akuzës, të gjitha provat dhe aktet e marra prej tij. Provat e reja të siguruara më pas duhet t’i njoftohen menjëherë.

Për personin që ende nuk ka marrë statusin e të pandehurit, mbetet sekreti hetimor, por ai ose avokati mund të kërkojnë akses në akte të caktuara. Prokurori duhet të përgjigjet brenda 48 orëve dhe vendimmarrja i nënshtrohet kontrollit të gjykatës.

Veçanërisht, të gjitha provat mbi të cilat është vendosur një masë sigurimi duhet t’i vihen në dispozicion personit ose mbrojtësit të tij. Shkeljet mund të bëhen shkak për procedim disiplinor.

Synohet t’i jepet fund “hetimit të pazyrtarizuar”

Veprimet hetimore nuk do të lejohen jashtë objektit të kallëzimit të regjistruar. Nëse gjatë hetimit dalin elemente të një vepre tjetër penale, prokurori duhet të regjistrojë një njoftim të ri.

Vetëm në flagrancë ose kur nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për të parandaluar apo ndërprerë një krim të rëndë lejohen veprime përpara regjistrimit, por procedimi i ri duhet të regjistrohet brenda 24 orëve.

Avokati merr rol aktiv gjatë marrjes në pyetje

Ndryshojnë ndjeshëm edhe rregullat e marrjes në pyetje. Nëse ekziston dyshim specifik dhe individual se personi ka kryer veprën penale, ai nuk duhet të merret në pyetje si një person i zakonshëm apo dëshmitar për të anashkaluar garancitë procedurale.

Përpara pyetjes, personi duhet të informohet se deklaratat mund të përdoren kundër tij dhe se ka të drejtën të mos përgjigjet. Mosrespektimi i disa prej këtyre paralajmërimeve i bën deklaratat të papërdorshme.

Avokati do të mund të ndërhyjë gjatë pyetjes për të mbrojtur të drejtën e heshtjes dhe kundër vetëinkriminimit, konfidencialitetin e komunikimit dhe për të kundërshtuar metoda që cenojnë lirinë e vullnetit.

Projektligji parashikon gjithashtu papërdorshmërinë absolute të provave të marra me torturë ose trajtim çnjerëzor apo degradues.

Telefonat dhe provat dixhitale nën një regjim të ri

Një bllok tjetër i rëndësishëm ndryshimesh lidhet me provën dixhitale. Projekti bën dallimin ndërmjet sekuestrimit fizik të një pajisjeje dhe aksesit në të dhënat që përmban ajo.

Sipas relacionit, aksesi në të dhënat dixhitale kërkon autorizim paraprak gjyqësor me objekt të individualizuar. Zbatimi më pas i nënshtrohet kontrollit gjyqësor dhe tejkalimi i kufijve të autorizimit sjell papërdorshmërinë e provës.

Relacioni thotë se rregullimi kodifikon edhe standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 44 të 29 korrikut 2025. Ndryshime parashikohen gjithashtu për kontrollet dhe sekuestrimet, përgjimet dhe marrjen e kampionëve biologjikë. Profilet gjenetike do t’u nënshtrohen afateve të ruajtjes dhe, në rast pafajësie, parashikohet asgjësimi i detyrueshëm.

Përgjegjësi personale për oficerët e policisë gjyqësore

Oficerët e policisë gjyqësore mund të mbajnë përgjegjësi disiplinore për kontrolle dhe sekuestrime të paligjshme, përdorimin e këqyrjes për të marrë prova që kërkojnë kontroll ose autorizim gjyqësor, abuzimin me konceptin e flagrancës, ndjekjes apo urgjencës dhe shkeljen e garancive gjatë marrjes në pyetje. Përgjegjësia parashikohet pavarësisht rezultatit përfundimtar të procedimit.

Ndryshon standardi për dërgimin e çështjes në gjyq

Projektligji propozon edhe një standard të ri për filtrimin e çështjeve që shkojnë në gjykim. Sipas relacionit, standardi i “provave të mjaftueshme për të mbështetur akuzën” zëvendësohet me atë të “pritshmërisë së arsyeshme për dënim”.

Kjo kërkon një vlerësim cilësor të materialit provues dhe marrjen në konsideratë si të provave të akuzës, ashtu edhe të atyre të mbrojtjes. Prokurori duhet të arsyetojë elementet e veprës penale dhe të identifikojë provat konkrete për secilin prej tyre.

Ndryshon edhe seanca paraprake. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të paraqitet pasi të jenë zgjidhur kundërshtimet për vlefshmërinë e akteve dhe pranueshmërinë e provave.

Rregulla shumë më të forta për publikimin e dosjeve penale

Një nga pjesët me ndikimin më të drejtpërdrejtë edhe mbi median është ndryshimi i nenit 103.

Ndalohet publikimi, edhe i pjesshëm, i akteve që mbrohen nga sekreti hetimor dhe i përmbajtjes së tyre. Ndalimi përfshin publikimin në shtyp, televizion, faqet institucionale, rrjetet sociale dhe forma të tjera komunikimi.

Parashikohet edhe ndalimi i publikimit të vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e përcaktuara në projektligj. Publikimi i përmbajtjes së përgjimeve telefonike ndalohet në parim, përveç pjesës së transkriptuar që citohet në arsyetimin e një vendimi ose përdoret gjatë gjykimit.

Mbrojtje e posaçme vendoset për identitetin dhe pamjet e të miturve dhe viktimave, ndërsa ndalohet publikimi ose transmetimi i imazheve të personave të privuar nga liria ndërsa janë nën masa shtrëngimi fizik, përveç rasteve të parashikuara.

Veçanërisht e rëndësishme për median është dispozita sipas së cilës edhe gazetarët dhe mediat që i kanë tashmë në zotërim të dhënat që bien nën këtë regjim duhet t’i kërkojnë gjykatës autorizim për publikimin. Gjykata duhet të peshojë integritetin e procedimit, të drejtat e palëve dhe të drejtën e publikut për informim; sipas draftit, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor.

Shkelja e ndalimeve mund të sjellë përgjegjësi civile, disiplinore dhe, kur plotësohen kushtet, penale.

Nuk mund të paraqitet si fajtor pa vendim të formës së prerë

Kodi merr edhe një dispozitë të posaçme për prezumimin e pafajësisë. Personi nën hetim ose i pandehuri nuk duhet të paraqitet si fajtor në aktet që nuk synojnë vendimmarrjen mbi përgjegjësinë penale, përpara se fajësia të jetë vërtetuar me vendim dënimi të formës së prerë.

Ndalohet gjithashtu paraqitja si fajtor në një vendim pushimi kur procedimi mbyllet për shkak të parashkrimit. Personi që pretendon se është cenuar mund të kërkojë korrigjimin e aktit.

Regjistrimi audioviziv bëhet rregull

Projektligji forcon ndjeshëm dokumentimin audioviziv të procedurës. Përjashtimet për mungesën e regjistrimit kufizohen në defekte teknike të dokumentuara ose forcë madhore dhe vetëm kur shtyrja do të sillte pasoja serioze për provat ose kohëzgjatjen e procesit.

Shkelja e detyrimit mund të sjellë papërdorshmërinë e dëshmive dhe deklarimeve të marra në seancë, si dhe përgjegjësi disiplinore. Kopja e regjistrimit apo procesverbalit duhet të vihet në dispozicion brenda 24 orëve nga kërkesa.

Ndryshojnë edhe seancat në dhomë këshillimi

Për procedimet në dhomë këshillimi krijohet një rregull i përgjithshëm: palët duhet të njoftohen të paktën dhjetë ditë përpara, mund të paraqesin parashtrime dhe kanë të drejtë të dëgjohen, përfshirë nëpërmjet lidhjes në distancë në rastet e përcaktuara. Shkelja e këtyre garancive mund të sjellë pavlefshmëri.

Në të njëjtën kohë, relacioni parashikon zgjerimin e publicitetit të procesit: seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt me kërkesë të të pandehurit ose viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, ndërsa rregullat e publicitetit synohen të shtrihen edhe në apel.

Ndryshim edhe për gjyqtarët e GJKKO dhe prokurorët e SPAK

Projektligji përcakton se GJKKO nuk do të jetë kompetente për të gjykuar akuzat ndaj një gjyqtari të vet ose një prokurori të Prokurorisë së Posaçme kur vepra penale nuk bën pjesë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Posaçme. Në këto raste, kompetenca kalon te gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.

Në tërësi, ndryshimet e propozuara prekin disa prej pikave më të ndjeshme të procedimit penal shqiptar. Boshti i reformës zhvendoset drejt kufizimit më të fortë të paraburgimit, kontrollit gjyqësor mbi mënyrën e sigurimit të provave, rolit më aktiv të mbrojtjes dhe forcimit të prezumimit të pafajësisë.

Por paketa sjell njëkohësisht edhe një regjim dukshëm më të rreptë për publikimin e informacionit nga procedimet penale. Për median, kjo është një nga ndërhyrjet që pritet të ketë efektin më të drejtpërdrejtë, pasi drafti nuk kufizohet vetëm te detyrimet e prokurorëve, gjykatave dhe palëve në proces, por vendos kushte edhe për përdorimin nga gazetarët të materialeve hetimore që kanë mbërritur tashmë në zotërimin e tyre./ekofin.al

©Shqip.com