Goditet Call Center-i mashtrues tek Rruga e Kavajës, 4 të arrestuar – në kërkim pronari Taulant Beleraj
Një Call Center nëpërmjet të cilit mashtroheshin shtetas të huaj me qëllim vjedhjen e shumave të mëdha të parave, është zbuluar në Tiranë, në rrugën e Kavajës.
Nga operacioni policor, janë arrestuar 4 persona të kapur në flagrancë, Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka ndërsa një 23-vjeçare po procedohet në gjendje të lirë. Sakaq, në kërkim është shpallur pronari i këtij call center-i, 45-vjeçari Taulant Beleraj.
Ka qenë Krimi Ekonomik që ka zbuluar bazën e call centerit brenda të cilit janë gjetur dhe blloqet me emrat e klientëve të mashtruar. Jo vetëm me bursat fiktive, por personat e arrestuar i merrnin sërish klientët e mashtruar në telefon duke iu prezantuar si avokatë. Në këtë pikë i mashtronin sërish duke i marrë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.
Detajet nga Policia
“Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të Taulant Beleraj, i cili, në bashkëpunim me shtetasit e mësipërm, e administronte atë me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka dhe E. H., 31 vjeç. Si dhe u shpall në kërkim Taulant Beleraj, 45 vjeç, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari.
©️Shqip.com