Safet Gjici u rikthehet tenderave të dyshimtë pas lirimit nga burgu, në skenë Etjen Xhafaj i Postës Shqiptare, ish-kryebashkiaku mbi 100 milionë euro kontrata publike me dy kompani
Pasditen e 24 qershorit 2023, ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u arrestua me kërkesë të SPAK për korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor, pas publikimit të videos duke kryer marrëdhënie intime në zyrë me të famshmen Alma K. Pavarësisht ‘ngjitjes’ në publik për shkak të videos, akuza ishte e sforcuar dhe perceptimi ishte se Safet Gjici bëri burg për një ‘gojore’, në kushtet kur ish kryebashkiaku mund të ishte hetuar për tendera të dyshimtë dhe pasurinë. Në maj të vitit të kaluar, ku i kishin mbetur edhe 8 muaj vuajte dënimi, Gjici u lirua nga burgu për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar.
Pas daljes nga burgu, Gjici u është rikthyer tenderave të dyshimtë publikë përmes dy kompanive, të cilat i ka kaluar, besohet formalisht, në emrin e të vëllait, Lavdrim Gjici. Në vitin 2001, Safet Gjici themeloi kompaninë e sigurisë Euro-Gjici, me emër të ndryshuar në Eurogjici-Security. Pesë vite më vonë, në vitin 2006, Safet Gjici themeloi kompaninë e ndërtimit Kevin Construction shpk.
Para se të përfshihej në politikë dhe pasi u emërua prefekt i Kukësit në 2014, Safet Gjici ia dhuron aksionet e të dy kompanive vëllait Lavdrim Gjici. Gjatë 10 viteve të fundit, kompania Eurogjici-Security ka fituar në bashkëpunim tendera publikë me vlerë rreth 70 milionë euro. Kompania e ndërtimit të Gjicit, Kevin Construction, për të njëjtën periudhë, ka fituar në bashkëpunim tendera me vlerë rreth 40 milionë euro.
Xhiroja vjetore e Kevin Construction arrin deri në 14 milionë euro (2021), duke pësuar një rënie deri në 600 mijë euro në vitin 2024, kur Safet Gjici ishte në burg. Xhiroja vjetore e Eurogjici-Security kulmon me 3 milionë euro në vitin 2021, duke pësuar një rënie në 1 milionë euro pas arrestimit të Gjicit dhe fitim modest në 2025, 12 mijë euro.
Këto evidenca tregojnë se aktiviteti kryesor i dy kompanive bazohet në paratë publike dhe se suksesi i tyre në tendera publikë përcaktohet nga pozitat e Safet Gjicit në raport me pushtetin. Pas një largimi trevjeçar, periudhë që përkon me mbajtjen e Gjicit në burg, dy kompanitë e tij janë rikthyer në sofrën e tenderave publikë.
Në 30 korrik 2026, drejtori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, ka autorizuar drejtorin e Departamentit të Administrimit, Elion Semanaj, për të firmosur një tender pa konkurrencë, me vlerë 250 mijë euro, për kompaninë e Safet Gjicit, Eurogjici-Security, në bashkëpunim me kompanitë Nazeri 2000 dhe Special Albania Security.
Objekti i tenderit është marrja e sinjaleve të alarmit nga degët e postës dhe regimit në rast tentative për të grabitur paratë. Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është vetëm 22 mijë lekë. Mungesa e konkurrencës dhe diferenca e papërfillshme mes fondit limit dhe ofertës fituese nuk e bëjnë domosdoshmërisht tenderin korruptiv, por ngrenë dyshime të forta për paracaktim të fituesve me pazar në tavolinë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Safet Gjici me të njëjtat kompani bashkëpunimi, pothuajse ka monopolizuar tenderat për sigurinë fizike, shoqërimin e parave dhe marrjen e sinjaleve të alarmit të Postës Shqiptare, drejtorive rajonale të OSSH-së dhe sidomos të UKT-së.
Safet Gjici i ka kaluar formalisht bizneset në emrin e të vëllait në vitin 2014, por personat e tij të lidhur, në kuptimin e detyrimit ligjor për deklarimin e pasurisë, kanë vijuar të deklarojnë të ardhura si të punësuar në dy kompanitë e tij, Eurogjici-Security dhe Kevin Construction. Gjithashtu, Sefet Gjici ka deklaruar blerjen e pasurive të paluajtshme kur si të ardhura të deklaruara kishte vetëm pagën si kryebashkiak dhe të ardhura nga qiratë.
Safet Gjici deklaron një pasuri me vlerë miliona euro; vila, apartamente, lokal te Ura e Tavakëve, troje, ullishte, toka, depozita bankare, obligacione 700 mijë euro etj. Burimi kryesor i pasurisë së deklaruar janë të ardhura nga aktiviteti tregtar. Por, Safet Gjici ka deklaruar edhe disa pasuri të paluajtshme me burim të pretenduar lekë të dhuruara nga të afërmit, paga si punonjës pranë Ministrisë së Brendshme, pranë Gardës së Republikës dhe nga punësimi si badigard.
Gjithsesi, vetëm një hetim i mundshëm nga SPAK mund të konfirmonte ose jo nëse Safet Gjici ka përdorur pozitat si ish kryebashkiak dhe lidhjet me pushtetin, duke përfituar tendera publikë të paracaktuar dhe në disa raste me marrëveshje me operatorë të ndryshëm ekonomikë, duke devijuar më pas një pjesë të parave në xhepat e tij, para të cilat mund të jenë investuar në pasuri të paluajtshme.
/Shqip.com