The Guardian: Studentët dhe aktivistët në Serbi u përgjuan nga qeveria e Vuçiç, pas nisjes së protestave masive. Kjo, vala më e madhe e dokumentuar e survejimit në vend
Serbët u vunë në shënjestër me spyware në “valën më të madhe të dokumentuar të survejimit” në vend. Mes personave të hakuar janë edhe studentë protestues, thotë një organizatë për të drejtat digjitale, ndërsa qeveria e Aleksandar Vuçiç mohon përgjimet
Të paktën 14 persona nga shoqëria civile serbe u vunë në shënjestër me programe të avancuar përgjimi në fillim të këtij viti, në atë që organizata për të drejtat digjitale Share Foundation e cilësoi si valën më të madhe të dokumentuar deri më tani të ‘infektimit’ me programe spiunazhi në Serbi.
Vala e infektimit me spyware u zbulua në gusht, pasi Apple njoftoi njerëzit në 110 vende se kishte gjasa të ishin viktima të spyware-it të prodhuar nga kompani private.
Citizen Lab, organizata që kryen analiza forenzike të sulmeve me spyware (program spiunazhi), publikoi të mërkurën një analizë që tregonte se të paktën një prej serbëve ishte vënë në shënjestër me spyware-in Pegasus të kompanisë NSO Group, i cili do t’i kishte dhënë sulmuesit “akses të plotë në pajisje”.
Share Foundation tha se mes personave të shënjestruar ishin edhe anëtarë të një lëvizjeje studentore serbe, e cila prej vitit 2024 është kthyer në një shqetësim të madh për qeverinë e Aleksandar Vuçiçit. Lëvizja u konsolidua pas protestave mbarëkombëtare që nisën pas shembjes së një stacioni treni gjatë atij dimri dhe është një prej lëvizjeve më të mëdha studentore në Evropë.
Vuçiç është në pushtet prej më shumë se një dekade. Gjatë kësaj periudhe, kritikët e tij e kanë akuzuar se ka dobësuar institucionet, ndërsa e ka orientuar vendin gjithnjë e më pranë Moskës.
Nuk ka prova që qeveria e Vuçiçit ishte pala që vuri në shënjestër studentët me spyware-in Pegasus. Megjithatë, programe të tjera spiunazhi të përdorura kundër studentëve, përfshirë një softuer të quajtur NoviSpy, janë lidhur më parë me autoritetet serbe.
Në një intervistë për televizionin Euronews Serbia të mërkurën, Ana Brnabić, kryetarja e parlamentit dhe një prej figurave drejtuese të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, mohoi se studentët ishin përgjuar.
“Absolutisht jo”, tha ajo. “Nuk besoj asnjë fjalë të vetme nga ato që kanë thënë ata [studentët].”
Share Foundation tha se koha kur ndodhën sulmet – gjatë zgjedhjeve lokale të marsit – mund të ketë shërbyer si një provë përpara zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për në tetor.
“Kjo është vala më e madhe e dokumentuar e survejimit në Serbi deri më tani”, tha Andrijana Ristic, këshilltare për politikat në Share Foundation.
“Ne mendojmë … se zgjedhjet lokale në thelb u përdorën si një test nga partia në pushtet për të parë [fuqitë e spyware-it], por edhe për të parë nivelin e presionit që ata janë në gjendje të ushtrojnë mbi studentët dhe opozitën.”
John Scott-Railton, studiues i lartë në Citizen Lab, tha: “Gjetjet tona forenzike dhe kjo valë e re njoftimesh nga Apple për kërcënimet zbulojnë se lëvizja paqësore pro-demokracisë në Serbi po vihet në mënyrë agresive në shënjestër nga spyware-i i prodhuar nga kompani private, përpara cikleve kyçe zgjedhore të vitit 2026.”
Milica Popović, një prej studenteve që u vu në shënjestër, i cilësoi sulmet “mizore”.
“Të mendoja se dikush mund të kishte hyrë në hapësirën time private pa dijeninë time më bëri të ndihesha jashtëzakonisht e ekspozuar”, tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se sulmi, sado i pakëndshëm të kishte qenë, nuk do ta frenonte atë apo lëvizjen studentore.
“Nëse qëllimi i tyre ishte të na frikësonin ose të na bënin të ndalonim, kjo nuk do të funksionojë”, tha ajo.
NSO Group, kompania që prodhon Pegasus-in, një spyware që është përdorur nga shtete autoritare për të vënë në shënjestër gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe disidentë, nisi si një kompani izraelite me lidhje të ngushta me ushtrinë.
Tashmë kompania është nën pronësi amerikane dhe duket se po kërkon një mënyrë për të hyrë në tregun amerikan, përfshirë përpjekjet për t’u hequr nga lista e zezë e Departamentit amerikan të Tregtisë.
Megjithatë, ky dhe incidente të tjera do të ngrenë pikëpyetje rreth asaj që është përshkruar si përpjekje e kompanisë për t’u ribranduar si një “kompani etike e spyware-it”.
NSO Group është ndaluar përfundimisht nga një gjykatë amerikane që të vërë në shënjestër përdoruesit e WhatsApp dhe produktet e Meta-s. Nuk është e qartë nëse sulmi më i fundit me Pegasus ka ndodhur përmes WhatsApp.
“Sot, Pegasus vazhdon të përdoret për të hakuar njerëz që luftojnë për demokracinë. NSO kaloi një dekadë duke premtuar reforma, megjithatë spyware-i i saj vazhdon të jetë një instrument i represionit politik”, tha Railton.
NSO Group u kontaktua për të komentuar mbi këto pretendime.
/Shqip.com