Lajme

“E zgjedh populli me votë se kush do të jetë në qeveri”, Rama u përgjigjet protestuesve: Po mendoj të bëj një këngë me frazën ‘Rama jepe dorëheqjen’

Kryesocialisti Edi Rama u ka prezantuar drejtuesve politikë të PS një tjetër dokument “Prania Besnike”, te cilin e konsideroi aneks të ‘Besës’. Rama tha se ky dokument fokusohet te punët e brendshme të partisë, ndërsa solli si shembull disa pushtetarë të cilët sipas tij asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi, por humbën dëgjimin nga pushtetit.

“Dokumentin strategjik Besa e keni tanimë në dorë dhe tjetri që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike”. Synon vetëm partinë”, deklaroi ai në këtë takim me socialistët.

Sipas tij, ky dokument, bashkë me “Besën” do jetë në funksion të kthesës së mandatit të 4-ërt qeverisës.

Më tej, duke marrë 5 shembuj në rang global, kreu i qeverisë theksoi se “sëmundja” e partive që qeverisin gjatë nuk është vetëm te korrupsioni apo konsumimi i pushtetit, por tek fakti që fillojnë të dëgjojnë vetëm një zë, të shohin vetëm në njërën anë dhe atëherë kur qytetarët detyrohen t’i drejtohen sekserëve të partisë për të marrë shërbime nga shteti.

Kjo, sipas tij, është arsyeja pse edhe partitë më të forta mund të humbasin pushtetin.

Duke e specifikuar se “Prania Besnike” nuk do të jetë një portal ankesash, tha se do marrë mësime nga të tjerët (shtetet e tjera), por pa trashëguar sëmundjen.

“Mallkimet e sharjet nuk i konsideroj sepse janë konflikt i shumëfishtë interesi, por do shtoja se pas 13 vjetësh në qeverisje, pse doni të qëndroni akoma, është ndoshta pyetja më legjitime që mund të na bëhet. Njëra është pse nuk largohemi sot dhe pse duhet ta meritojmë vazhdimësinë nesër. Kjo është demokracia, një parti nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, nuk e ka pronë e testament, por as nuk ka të drejtë ta lëshojë rrugës. E ushtron pushtetin sipas Kushtetutës!”, tha referuar protestës që është zhvilluar në kryeqytet prej afro dy muajsh tanimë, ku kërkesa kryesore është pikërisht dorëheqja e aktorëve politikë. 
Rama përsëriti fjalinë që thuhet në kor poshtë zyrës së tij “Rama jepe dorëheqjen”, duke u shprehur se “ajo frazë i pëlqen dhe e energjizon aq sa e mendon edhe të bëjë një këngë të dytë me të”.

Kryeministri ka realizuar më parë një këngë për Tiranën në bashkëpunim me West Side Family.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigjet thirrjeve për dorëheqje nga protestuesit.

“Pse nuk largohemi ne sot dhe pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër? Duket e çuditshme që duhet thënë, kjo është demokracia dhe një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit as nuk e ka pronë me testament, por as ka të drejta të lëshojë rrugës se disa të tjera duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. Ushtron pushtetin për aq kohë sa ia ka dhënë populli votën dhe aq kohë sa ka votat në kuvend. Ata flasin në emër të popullit, pretendojnë se janë vetë populli. Ne jemi populli, dëgjoni popullin, ka dalë populli, të jemi të qartë me ligj e me zakon, as ata nuk janë populli, as ne dhe asnjë grupi kudo qoftë, të gjithë jemi pjesë të tij, mund të përfaqësojmë popullin dhe të flasim në emër të tij nëse ai na e jep këtë mandat sipas kushtetues. As unë që e kam me vulë dhe firmë mandatin për të përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e  kam në tagër të them ne emër të popullit atë mund ta thotë vetëm populli, kush duhet të jetë në qeveri dhe kush në opozitë. Këtë e thotë populli vetëm me votë. Unë e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat dhe urdhrat e një pjesë që këndon poshtë zyrës sime, jepe dorëheqjen. Ajo këngë më pëlqen dhe energjizon aq sa më gënjen mendja që mund të bëj një tjetër këngë me të. Por në çdo çast dhe rrethane përtej këngës, të largohesh nga detyra vetëm sepse një pakicë bërtet, nuk është tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale. Është braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe”, tha Rama.

/Shqip.com