Lajme Botë

“SHBA po merr kontrollin e Ngushticës së Hormuzit”, Trump: Do të paguhemi që ta ruajmë atë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara po marrin kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe se Uashingtoni do të paguhet për garantimin e sigurisë në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se SHBA mund të marrë rolin e mbrojtjes së ngushticës.

“Shtetet e Bashkuara ndoshta do ta drejtojnë Ngushticën e Hormuzit. Nëse e drejtojmë ne, do të paguhemi. Do të bëhemi roje të Ngushticës dhe do të paguhemi për ta ruajtur atë”, deklaroi ai, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara po marrin kontrollin e Ngushticës”.

Deklarata vjen në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Sipas Axios, forcat amerikane kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave iraniane. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se janë goditur dhjetëra objektiva në disa zona me municione të drejtuara me precizion, me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të kryer sulme ndaj trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.

Operacioni amerikan erdhi si kundërpërgjigje ndaj një rakete të lëshuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kundër një anijeje tregtare, si dhe pas kërcënimeve të Teheranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Në reagim ndaj sulmeve amerikane, forcat e IRGC-së kanë goditur baza ushtarake amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

/Shqip.com