Rrjeti i Call Centerave të Alessandro Ungaros në ‘shënjestrën’ e Prokurorisë! Gazetari: Bosi Besmir Masha tregti me SPAK dhe BKH
Një rrjet i dyshuar call center-ash që lidhet me shtetasin italian Alessandro Ungaro dhe disa bashkëpunëtorë të tij në Shqipëri, është vënë në fokus të verifikimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe strukturave ligjzbatuese.
Sipas raportimit të gazetarit Elton Qyno, hetimet lidhen me dyshime për mashtrime përmes platformave online të investimeve, të cilat dyshohet se janë përdorur për të dëmtuar qytetarë të vendeve europiane.
Një nga personat e vënë në hetim është dhe Besmir Masha, për të cilin thuhet se ka administruar ose zotëruar subjekte të lidhura me aktivitetin e call center-ave.
Sipas gazetarit Qyno, një prej bizneseve të tij, kompania “Sky Dental”, ndodhet pranë godinës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Po ashtu, sipas të njëjtit burim, Masha është bërë pronar edhe i lokalit “Bar Momus”, i pozicionuar në afërsi të këtyre institucioneve, pranë Rrugës së Burgut.
Gjithashtu, sipas të njëjtit raportim, SPAK ka kryer pagesa për shërbime pritjeje dhe konsum në këtë lokal, përfshirë kafe, pije dhe ëmbëlsira. Pra, prokuroria e posaçme ka qenë klient i rregullt i lokalit luksoz në pronësi të Besmir Mashës.
Sipas faturave të publikuara, vlera totale e këtyre shërbimeve arrin në rreth 1.8 milionë lekë të vjetra.
Gjë e cila ngre pikëpyetje mbi marrëdhëniet tregtare mes një biznesi në pronësi të një personi të përmendur në raportim dhe institucioneve të drejtësisë, ndërsa kërkohet transparencë mbi këto transaksione.
©Shqip.com