Lajme

Tatimet i zbulojnë 1 mln euro evazion fiskal, biznesmeni vlonjat Migen Xhelo ankohet te Rama (LETRA)

Administratori i kompanive të pasurive të paluajtshme “Vlora Estate” dhe “Invest 1 Group Sh.p.k”, Migen Xhelo, i ka drejtuar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama, ku denoncon si abuzive dhe të paligjshme një gjobë prej 300 milionë lekësh të vjetra të vendosur nga Administrata Tatimore.

Masa administrative erdhi pasi Hetimi Tatimor deklaroi zbulimin e një evazion fiskal prej 1 milion eurosh nga shitja e pronave në qytetin e Vlorës, gjetje të cilat sipërmarrësi i cilëson si supozime të bazuara ekskluzivisht mbi strategjitë digjitale të marketingut.

Konflikti institucional pason një njoftim zyrtar të Administratës Tatimore të para pak ditëve, sipas të cilit, në kuadër të aksionit kundër evazionit në sektorin imobiliar, ishte identifikuar një kompani në Vlorë që kishte fshehur të ardhura në vlerën e 1 milion eurove. Megjithatë, sipas argumentimit të palës private, ky konstatim nuk mbështetet në asnjë dokument ligjor apo financiar, por vetëm në monitorimin e shpalljeve në faqen e internetit të kompanisë.

Në reagimin e tij, Migen Xhelo ka sqaruar se statusi “SHITUR” i vendosur mbi disa prona në platformën e tyre online nuk përfaqëson transaksione reale juridike, por është përdorur si një element taktik marketingu për të krijuar avantazh konkurrues dhe për të rritur besueshmërinë e kompanisë në treg përkundrejt klientëve.

“Hetimi është bazuar ekskluzivisht në statusin ‘shitur’ të pronave në faqen tonë të internetit (website). Ky status është një element marketingu dhe informativ për klientët, jo një akt juridik. Ai nuk provon transferimin e pronësisë. Një ‘screenshot’ nga një website nuk përbën provë ligjore për një transaksion pasuror,” shkruan ndër të tjera Xhelo.

Në letrën drejtuar kreut të qeverisë — e cila u është dërguar për dijeni edhe Ministrisë së Financave, Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) — administratori rendit disa shkelje të pretenduara të kuadrit ligjor në fuqi.

Xhelo ka kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të aktit administrativ dhe nisjen e një verifikimi transparent të bazuar mbi prova materiale. Në letër hidhen akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesit të Hetimit Tatimor, z. Anton Martini, duke e akuzuar atë për vendimmarrje arbitrare dhe tejkalim të kompetencave ligjore në dëm të reputacionit të biznesit.

Në mbyllje të qëndrimit të tij, administratori bën me dije se ka dokumentuar të gjithë procesin dhe ka nisur hapat për referimin e çështjes pranë SPAK, si dhe ka njoftuar publikun përmes mediave dhe rrjeteve sociale, duke paralajmëruar se çdo veprim pasues administrativ ndaj kompanive të tij do të konsiderohet si akt hakmarrës e presion i drejtpërdrejtë.

Letra e plotë:

Drejtuar: Z. Edi Rama Edi Rama , Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Për dijeni: Ministria e Financave / Komisioni për Ekonominë dhe Financat /Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve / NAREA – National Albanian Real Estate Association

Subjekt: Denoncim për akte arbitrare, shpërdorim detyre dhe cenim të sigurisë juridike nga organet e Hetimit Tatimor

​I nderuar Z. Kryeministër,

​Po ju drejtohem përmes kësaj letre publike, si një qytetar, sipërmarrës dhe taksapagues që po përballet me një agresion administrativ të pashoq. Si administrator i “Vlora Estate” dhe “Invest 1 Group Sh.p.k”, jam gjithmonë i angazhuar për transparencë fiskale. Megjithatë, ajo që po ndodh aktualisht në institucionet tatimore nën administrimin e Drejtorit gjobaxhi të Hetimit Tatimor Z. Anton Martini, ( emri i të cilit fatkeqësisht është bërë sinonim i skandaleve dhe abuzimeve), tejkalon çdo logjikë ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm për mjedisin e biznesit në Shqipëri.

​Administrata Tatimore ka vendosur ndaj subjektit tim një gjobë me vlerë 300 milionë lekë, bazuar tërësisht mbi supozime spekulative dhe interpretim dashakeqës të të dhënave digjitale.

​Argumentet mbi të cilat bazohet ky abuzim janë ligjërisht të pavlefshme për këto arsye:

​Mungesa e Bazës Faktike (Proveniencës): Hetimi është bazuar ekskluzivisht në statusin “shitur” të pronave në faqen tonë të internetit (website). Ky status është një element marketingu dhe informativ për klientët, jo një akt juridik. Ai nuk provon transferimin e pronësisë. Sipas Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 77, barra e provës për konstatimin e shmangies tatimore i përket administratës tatimore, e cila duhet të mbështetet në dokumentacion kontabël, kontrata noteriale ose flukse financiare të verifikuara. Një “screenshot” nga një website nuk përbën provë ligjore për një transaksion pasuror.

​Shkelja e Parimit të Sigurisë Juridike: Tatimet pretendojnë një evazion prej 1 milion eurosh pa paraqitur asnjë kontratë noteriale, asnjë verifikim pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ASHK) dhe asnjë lëvizje bankare që provon pagesën. Kjo bie ndesh me Kodin e Procedurave Administrative, i cili kërkon që çdo akt administrativ të jetë i bazuar në prova të mirëfillta dhe jo në supozime subjektive.

​Kërkesa për “Gjobë para Ankimit”: Praktika e imponuar për të paguar gjobën përpara se të provohet e vërteta, është një mekanizëm që shkatërron likuiditetin e bizneseve të ndershme. Kjo nuk është drejtësi, është shantazh administrativ.

​Z. Kryeministër, nëse shteti lejon që organet tatimore të vendosin gjoba marramendëse bazuar në algoritme kërkimi të Google (SEO) dhe jo në dokumentacionin e noterisë, atëherë asnjë biznes në këtë vend nuk është i sigurt. Ky është një rast që, për nga natyra e tij paradoksale, duhet të jetë në vëmendjen e mekanizmave të kontrollit ligjor.

​Kërkesa ime është e thjeshtë dhe e prerë:

Kërkoj shfuqizimin e menjëhershëm të këtij akti administrativ arbitrar dhe kryerjen e një verifikimi të ligjshëm, transparent dhe të bazuar në prova reale, jo në supozime të shkëputura nga realiteti i tregut imobiliar.

​Unë kërkoj drejtësi. Kërkoj që institucionet të mos jenë vegla presioni, por shërbëtorë të ligjit. Besoj se kjo administratë nuk mund dhe nuk duhet të mbrojë individë që, në emër të shtetit, shkatërrojnë ekonominë dhe reputacionin e qytetarëve të ndershëm.

​Mbetem në pritje që kjo kërkesë për shqyrtim të trajtohet me seriozitetin që meriton integriteti i një sipërmarrësi dhe qytetari shqiptar.

​”Dua të bëj me dije gjithashtu se: çdo veprim hakmarrës ndaj meje, pas denoncimeve të mia të njëpasnjëshme për këtë çështje, do të konsiderohet i mirëdokumentuar. I gjithë procesi, përfshirë denoncimet në SPAK, raportimet në media dhe qëndrimet e mia në Facebook, shërbejnë si dëshmi e plotë për çdo rast të mundshëm presioni.”

​Migen Xhelo
Administrator, Vlora Estate / Invest 1 Group Sh.p.k

©Shqip.com