Kush proteston në Tiranë? Paradoksi i një revolte me rrënjë të majta por kundër PS në pushtet dhe a po rrezikon PD të shkrihet?
Protestat kundër projektit në Zvërnec, por që më pas u shndërruan në revoltë kundër qeverisë dhe Edi Ramës, kanë nxjerrë në pah një fenomen të pazakontë në politikën shqiptare. Në shesh nuk shfaqet ndarja klasike mes mbështetësve të qeverisë dhe opozitës. Përkundrazi, protestuesit sulmojnë njëkohësisht qeverinë socialiste të Edi Ramës dhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha. Në këtë pikë, Rama dhe Berisha duken njerëzit më në hall në mbarë hapësirën shqiptare, sepse po refuzohen masivisht, të paktën nga ata që janë në shesh.
Thirrjet e dëgjuara para Kryeministrisë kanë qenë po aq të ashpra ndaj Ramës sa edhe ndaj Partisë Demokratike. Slogane si “Rama në burg, Berisha në burg” apo “Opozitë e shitur” tregojnë se një pjesë e protestuesve nuk e shohin opozitën tradicionale si alternativë politike, por si pjesë të të njëjtit sistem. Madje, PD rrezikon të humbasë edhe monopolin e opozitarizmit.
Në protestë janë përfshirë aktivistë mjedisorë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë të paangazhuar politikisht, por edhe individë me bindje të ndryshme ideologjike. Kjo e bën të vështirë identifikimin e protestës si një lëvizje e pastër e majtë apo e djathtë.
Një element që ka nxitur debat është fakti se një pjesë e aktivistëve që marrin pjesë në protesta kanë qenë më parë të lidhur me organizata të financuara nga fondacione ndërkombëtare, përfshirë struktura që kritikët i lidhin me rrjetin e George Soros. Megjithatë, prania e tyre nuk mjafton për ta përkufizuar të gjithë protestën si një projekt të organizuar politikisht nga një krah i caktuar.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur vërehen reagimet ndërkombëtare. Disa nga zërat më kritikë ndaj projektit kanë ardhur nga figura të së majtës amerikane. Senatori Bernie Sanders e lidhi kundërshtimin ndaj projektit me shqetësimet për ndikimin e investimeve të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Në këtë këndvështrim, projekti në Zvërnec nuk shihet vetëm si një çështje mjedisore apo lokale, por si pjesë e një debati më të gjerë politik dhe ekonomik.
Kjo krijon një situatë të pazakontë, një protestë kundër një qeverie të majtë, e cila njëkohësisht refuzon opozitën e djathtë dhe gjen mbështetje morale te figura të së majtës amerikane. Për këtë arsye, protesta e Zvërnecit duket më shumë si një revoltë kundër establishmentit politik në tërësi sesa një përplasje tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është nëse kjo lëvizje do të mbetet një protestë e fokusuar te mjedisi dhe pronat, apo do të shndërrohet në një platformë më të gjerë politike kundër elitave që kanë dominuar Shqipërinë në dekadat e fundit.
©Shqip.com