Lajme

Alphascrypto, Cappitalmarket24 dhe Goldcapital24/ Cilat janë platformat mashtruese të Call Center që veprojnë nga Tirana. Tedi Agastra përdori exchange “Alba Forex” të babait të tij për të konvertuar kriptovalutat. Mateo Hoxha “truri” i skemës

Një skeme e mirëmenduar mashtruese ishte ajo e ngritur nga Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj, ku përmes disa call center në Tiranë, kanë përfituar shuma të majme duke mashtruar qytetarë të huaj.

Pjesë e të akuzuarve janë edhe Aida Vokli dhe Ledion Cenaj, por këta të dy konsiderohen sipas prokurorisë me rrezikshmëri të ulët, pasi roli kryesor në këtë skemë të madhe mashtrime të të huajve, e kanë emrat e sipërpërmendur.

Sipas dosjes së Prokurorisë, duket se hetimet kanë nisur pas një denoncimi të bërë nga një shtetase e huaj, austriake, e cila ka rënë pre e mashtrimit nga këta persona që vepronin nga Shqipëria përmes internetit, duke humbur shumë të mëdha financiare.

Autoritetet austriake që kanë bashkëpunuar me palën shqiptare për zbulimin e këtij grupi, kanë evidentuar platformat online që janë përgjegjëse për mashtrimet, të emëruara si: ALPHASCRYРТO, САРPITALMARKET24, GOLDCAPITAL24.

Këto platforma dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.

Nëpërmjet mashtrimit autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vetë ose për llogari të personave të tjerë, pasi të dëmtuarit për shkak të mashtrimeve dhe prezantimit të të dhënave të rreme kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash të cilat në total mendohet se mund të jetë më shumë se 30 milionë euro.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se Tedi Agastra në bashkëpunim me babanë e tij i cili ka zyrën e këmbimit valutor “Alba Forex” të ndodhur në rrugën “Abdyl Frashëri”, ka bërë kthimin e kriptovalutave në para FIAT.

Operacioni “bingo” i Prokurorisë, sekuestrohen 1 mln euro

Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i Prokurorisë dhe Policisë së Tiranës i zhvilluar disa ditë më parë në kryeqytet, në 3 Call Center. Sipas të dhënave paraprake, janë vendosur 9 masa sigurie në kuadër të hetimeve. Katër është numri i të arrestuarve deri tani, mes tyre edhe Eduart Dalla, Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha. Aksioni u kryesua nga prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto. Gjatë kontrolleve janë verifikuar 3 Call Center, të shpërndarë në 4 ambiente pune, me rreth 300 poste pune në total.

Dyshohet se nga këto struktura janë mashtruar shtetas nga disa vende, përfshirë Austri, Itali, Spanjë, Greqi, Kanada dhe SHBA, përmes skemave të ndryshme telefonike.

Gjatë operacionit, policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa ende nuk është vendosur nëse ata do të mbahen në masë ndalimi apo do të lirohen në vijim të hetimeve.

Po ashtu, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Dy nga ambientet e kontrolluara ndodhen në “Millennium Business Center”, në Rrugën e Kavajës.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe rolin e secilit të përfshirë në këtë aktivitet.

Austriakja e mashtruar zbuloi dyshen kryesore që përfituan 8 mln dollarë nga kriptot, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra

Në dosjen të cilën Shqip.com e siguroi të call center-ave mashtrues në Tiranë, sipas grupit të përbashkët hetimor të Prokurorisë së kryeqytetit me partnerët austriakë, përfituesit fundorë të kriptovalutave që u vidheshin qytetarëve europianë, janë dyshja Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, të dy të arrestuar.

Mateo Hoxha, 24 vjeç, sipas prokurorisë, kishte përfituar 3.2 milionë dollarë, ndërsa Agastra, 23-vjeçar, kishte përfituar 4.8 milionë dollar.

“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto”, thuhet në dosje. Një veprim ky për të humbur gjurmët.

Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në një çështje ku u lëshuan 19 urdhër arreste për veprat penale të “Ushtrimi pa licence të veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”

Në dosje thuhet se është dokumentuar në hetimin e mëparshëm se, Tedi Agastra në bashkëpunim me babain e tij, i cili ka zyrën e këmbimit valutor “Alba Forex” në rrugën “Abdyl Frashëri, këmbenin kriptovaluta, në para. Në këtë zyrë të këmbimit valutor, nga muaji dhjetor i vitit 2024, punon edhe Mateo Hoxha (i arrestuar në operacionin e së hënës (13 prill 2026).

Babai i 24-vjeçarit, Arbëror Agastra është nën masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për çështjen e mëparshme të 2024-ës.

Teksa prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet prej 2024-ës për call center-at mashtrues, në janar të vitit 2025, austriakët njoftojnë se të tjerë qytetarë atje kanë bërë kallëzime të reja për mashtrim nëpërmjet telefonit nga këshilltarë të supozuar financiarë që i ftonin të bënin investime në platformën “imctrading”

Transaksionet janë kryer në data të ndryshme. Por një qytetare austriake e dëmtuar, ka kërkuar informacione në një kompani shkëmbimi kriptomonedhash, nga ku ka marrë përgjigje se transaksionet e saj lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy shqiptarët, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.

©Shqip.com