Lajme

Grenell – Velës: A e mbështet Osmani moszbatimin e projektit të gazsjellësit amerikan

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi.
Richard Grenell, ish-emisari amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi.

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka pyetur Blerim Velën, shef i kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, se a mbështet kjo e fundit moszbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve si dhe projektin e gazsjellësit amerikan.

Përmes një replike në Twitter, Grenell bëri këtë pyetje pasi Vela tha se “ai po gënjen kur po i referohet deklaratave të presidentes, Vjosa Osmani”, transmeton Shqip.com.

“Pra Vjosa Osmani tani mbështet refuzimin e Marrëveshjeve Ekonomike dhe ofertën e një gazsjellësi për energji të pastër”, shkroi Grenell.

Gjithë kjo përplasje erdhi pasi që Grenell deklaroi se me rezultatin e zgjedhjeve lokale i është dhënë “leksion i mirë”, kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti mori këtë rezultat pasi që refuzoi projektet amerikane, teksa shtoi se Osmani ia ka bërë të qartë SHBA-ve se ajo nuk është dakord me Kurtin për këtë çështje.

Lexo edhe:
Shefi i kabinetit të Presidentes: Grenell po gënjen kur i referohet deklaratave të Vjosa Osmanit

“Populli i Kosovës i ka dërguar një mesazh të fortë Albin Kurtit, pasi është e papranueshme të refuzosh SHBA-në, energjinë e rinovueshme të pastër (projektin e gazit) dhe Marrëveshjet e Uashingtonit të nënshkruara në Zyrën Ovale. Vjosa Osmani ia ka bërë të qartë edhe SHBA-ve, se ajo nuk është dakord me Kurtin”, shkroi Grenell.

Ndryshe, të dielën është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vetëm në katër komuna- në Gjilan, Podujevë, Shtime dhe Kamenicë./SHQIP.com