Lajme

E pyetën për pushimet nga puna tek Avokati i Popullit, Endri Shabani humb qetësinë para gazetarëve: Mos u merrni me skupe!

Pyetjet e gazetarëve mbi shkarkimet dhe tensionet e raportuara brenda institucionit të Avokatit të Popullit duket se kanë irrituar drejtuesin e këtij institucioni, Endri Shabanin. Gjatë një komunikimi me mediat nga Pogradeci, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Shabani ka humbur qetësinë përballë insistimit të gazetarëve lidhur me largimet nga puna dhe akuzat për presion ndaj punonjësve, duke iu drejtuar atyre me shprehjen: “Mos u merrni me skupe”.

Pyetje: A keni koment ne lidhje me pretendimet që janë ngritur në media për pushimet nga puna në institucion nga ana juaj?

Endri Shabani: Sot është Dita Ndërkombëtare e Familjes, dhe ne kemi ardhur në Pogradec për të diskutuar për ndihmën ekonomike, për familjet në nevojë, dhe mendoj se edhe fokusi i medias duhet të jetë pikërisht kjo çështje. Unë besoj se është përgjegjësi e medias të fokusohet te hallet e familjeve shqiptare, jo tek skupet. Ky është edhe qëllimi i sotëm.

***

Reagimi i titullarit të Avokatit të Popullit vjen në një moment kur institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të punonjësve është përfshirë nga polemika të shumta, denoncime dhe akuza për klimë tensioni brenda administratës. Endri Shabani akuzohet se po shkel ligjin sistematikisht duke firmosur shkarkime të paligjshme, presione, shantazhe por edhe emërime në kundërshtim me shërbimin civil.

Sipas një shkrese të mbërritur në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë nga punonjësit e Avokatit të Popullit, Endri Shabani akuzohej edhe për shndërrimin e institucionit në pronë private dhe po e shfrytëzon atë për qoka personale. Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur me urgjencë një komision për shqyrtimin e ankesave dhe verifikimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit. Pritet që në ditët në vijim Avokati i Popullit, Endri Shabani të thirret në raportim para komisioneve parlamentare.

LEXO EDHE:

/Shqip.com