Lajme

A përfaqësojnë Marin Gjonaj dhe Artur Micko (Mickaj) interesat serbe në tregun e energjisë në Kosovë? Lidhjet e dyshimta nga Tirana në Prishtinë dhe ‘hijet’ që fshihen pas pazareve miliona euro

Debati mbi sektorin e energjisë në Kosovë është përshkallëzuar ditët e fundit po ngrihen dyshime të forta mbi lidhjet mes politikës, biznesit të energjisë dhe interesave të huaja që operojnë në rajon. Në qendër të diskutimeve është kompania “ETMT Energy”, e lidhur me biznesmenët nga Tirana Marin Gjonaj dhe Artur Micko (Mickaj), por që kanë shtrirë fijet edhe te interesat e biznesit dhe politikës në Prishtinë.

Kohët e fundit janë ngritur pikëpyetje mbi rritjen e shpejtë financiare të kompanisë dhe lidhjet e saj me eksponentë të pushtetit në Kosovë.

“ETMT Energy” është një kompani që merret me tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike në rajonin e Ballkanit. Ajo operon si pjesë e grupit “Ener Trade”, i lidhur me 2 emra, Marin Gjonaj dhe Artur Micko (Mickaj). Sipas të dhënave, kompania ka seli dhe operime në disa vende të rajonit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Slloveni dhe Maqedoni e Veriut.

Aktiviteti kryesor i saj lidhet me blerjen, shitjen dhe ndërmjetësimin e energjisë elektrike në bursat rajonale të energjisë. Marin Gjonaj dhe Artur Micko (Mickaj) nuk prodhojnë vetë energji elektrike. Roli i tyre është ndërmjetësimi në treg, ata blejnë energji nga një palë dhe e shesin te një tjetër, shpesh në tregje të organizuara apo bursa energjie. Kryesori, brokeri i energjisë në këtë rast është Marin Gjonaj me kompaninë e tij ProBroker ku aksionerë janë edhe Fabio Gjonaj e Redion Zefi. Pikërisht këtu nisin edhe ‘dallaveret’ e broker-ave me çmimin e energjisë të cilin e blejnë lirë dhe e shesin shtrenjtë. Për ta thjeshtuar, “ETMT Energy” e cila operon si pjesë e “Ener Trade” e blen energjinë në tregun ndërkombëtar pas negocimit që i ka bërë Marin Gjonaj. Gjonaj sheh ofertat, negocion çmimin dhe ia kalon “Ener Trade” ku ai është aksioner me Artur Micko (Mickaj). Ky i fundit e shet me çmimin që i intereson atij në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut. Pra, një paligjshmëri fund e krye dhe një konflikt i hapur interesi.

Të njëjtën skemë ndjekin edhe në Tiranë e Shkup.

Në Prishtinë janë ngritur pretendime edhe për ndikime të mundshme ndaj zyrtarëve të sektorit energjetik në Kosovë, nga 2 biznesmenët Marin Gjonaj e Artur Micko (Mickaj).

Në qarqet politike dhe mediatike në Kosovë po ngrihen gjithashtu dyshime të forta për depërtim të interesave serbe në tregun rajonal të energjisë, përmes kompanive dhe rrjeteve tregtare që operojnë në disa shtete të Ballkanit. Edhe pse deri tani nuk ka prova konkrete që të faktojnë këto pretendime, opozita po kërkon transparencë të plotë mbi strukturat financiare, ortakëritë dhe rrjetin e lidhjeve që qëndron pas kompanive që përfitojnë nga tregtia e energjisë elektrike. Një burim pranë opozitës i tha Shqip.com se aktiviteti i biznesmenëve në fjalë dhe ndërthurjane tyre me partinë qeverisëse do të mbahet në monitorim. Tregtimi i energjisë me çmime stratosferike është padyshim cenim i interesave kombëtare.

A janë Marin Gjonaj dhe Artur Micko (Mickaj) zgjatime të interesave serbe të energjisë? Kjo mbetet për t’u parë, por depërtimi i beftë i tyre në tregun energjetik këtu nuk erdhi nga rastësia dhe vetem një mbështetje përtej interesave lokale mund t’i çonte në këto nivele. Ajo që dihet deri tani me siguri është se deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ejup Ahmeti është ortak me Marin Gjonajn në një biznes në Shqipëri. Kjo u denoncua nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri i cili alertoi disa javë më parë si çështje në Kuvendin e Kosovës ngritjen e jashtëzakonshme financiare të kompanisë “ETMT Energy”, në pronësi të Marin Gjonajt.

Çështja pritet të thellohet edhe më tej në ditët në vijim, ndërsa opozita ka paralajmëruar publikimin e të tjera të dhënave lidhur me atë që po cilësohet si një rrjet interesash politike dhe ekonomike në sektorin strategjik të energjisë në Kosovë dhe rajon.

Kush është Artur Micko (Mickaj), ortaku i ngushtë i Marin Gjonajt
Në shtator 2018, Artur Micko (Mickaj) krijon kompaninë ENER Trade, e cila merret me tregtinë e energjisë elektrike. Në 2019 kompanisë i shtohet edhe Marin Gjonaj. Gjatë viteve 2021-2023 Ener Trade siguron miliona euro fitime nga tregtimi i energjisë elektrike, ku vazhdimisht ka patur akuza në media në lidhje me çmimet e aplikuara, të cilat rëndojnë ndjeshëm bilancin e KESH.

Përgjatë kësaj periudhe, kompani të ndryshme si EFT, GSA, Tirana International Development, Info Telecom, Ener Trade dhe Noa Energy shitën energjinë e KESH duke siguruar në total dhjetëra milion euro fitim. Sipas të dhënave, vetëm në vitet 2021- 2022, Ener Trade ku Micko ka gjysmën e aksioneve fitoi 24 milion euro nga këto transaksione, ndërsa në vitin 2023 deklaroi më shumë se 2 milionë euro fitim.

Problemi sipas ekspertëve në këtë mes lidhet me KESH-in, i cili nuk doli vetë në treg por përdori kompani si ato të mësipërmet, përfshi edhe kompaninë e Mickos si sekser duke i transferuar atyre miliona euro fitime vetëm se operuan si “middle man” dhe asgjë më shumë.

Në emër të ish-nënkryetarit të FRESSH rezultojnë katër kompani, ku në tre prej tyre ka ndarë aksionet me një tjetër biznesmen, kurse kompaninë e katërt e ka të gjithën të veten.

I gjithë aktiviteti i Mickos është i fokusuar në tregtimin/ prodhimin e energjisë elektrike dhe çuditërisht në prodhimin e kriptomonedhave, siç është kompania Crypto World3.

Prodhimi i kriptomonedhave është një aktivitet iparregulluar me ligj në Shqipëri dhe herë pas here policia ka gjetur arsye për të kryer aksione duke shpallur biznesmenë të njohur në kërkim apo duke sekuestruar laboratorë të kompanive të ortakëve të Artur Mickos.

*Titulli është pjesërisht një shënim redaksional, nisur nga akuzat e opozitës në Kuvendin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër bazohet në fakte dhe dokumente.

© Shqip.com