Lajme

Tragjike! Humb jetën punëtori 32-vjeçar brenda Megatek të Dionis Teqja. Burime: E goditi mjeti i punës tip ‘pirun’

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak orë më parë në Tiranë. Mësohet se punëtori 32-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e Megatek. 32-vjeçari është goditur nga një mjet pune (pirun) dhe ka marrë plagë të rënda. Ai është transportuar në spital por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Kjo ngjarje vjen pak muaj pas aksidentit të dy të miturve të cilët ranë nga skela e Megatek në një kohë kur po punonin në të zezë.

Ajo që mund të themi pa asnjë pikë dyshimi është se siguria në punë tek Megatek është zero dhe kjo qendër është shndërruar në një skenë krimi.

Njoftimi i policisë:

Paraditen e sotme, në ambientet e jashtme të një qendre tregtare, dyshohet se shtetasi L. D., 32 vjeç, punonjës i kësaj qendre tregtare, është dëmtuar aksidentalisht nga një mjet pune (pirun) që drejtohej nga shtetasi E. D., 61 vjeç. Shtetasi L. D. është dërguar në Spitalin e Traumës dhe pas disa orësh ka ndërruar jetë, për shkak të plagëve të marra.

Shtetasi E. D. është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/Shqip.com