Pas Toptanit dhe QTU-së, alarm për bombë edhe tek TEG-u. Çfarë gjeti policia pas kontrolleve
Pas alarmit për bombë në Toptani Shopping Center të shtunën në mbrëmje dhe më pas te QTU dje gjatë pasdites, një tjetër njoftim ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës.
Burime për Shqip.com bëjnë me dije se po ditën e djeshme është dhënë njoftim edhe për qendrën tregtare Tirana East Gate (TEG), ku janë marrë masa të menjëhershme sigurie dhe janë kryer kontrolle të detajuara nga strukturat përkatëse.
Kujtojmë se në rastin e Toptanit, alarmi u dha pas një email-i kërcënues që paralajmëronte vendosjen e një sasie lënde plasëse, duke sjellë evakuimin e qytetarëve dhe ndërhyrjen e forcave xheniere.
Pas verifikimeve, nuk u gjet asgjë e dyshimtë dhe alarmi rezultoi i rremë.
Edhe për alarmin e dhënë te TEG, nga kontrollet nuk ka rezultuar gjë e kundraligjshme. Njoftimi ka qenë sërish i rremë. Nuk dihet ende se kush qëndron pas njoftimeve të rreme të cilat kanë alarmuar kryeqytetin përgjatë 2 ditëve.
/Shqip.com