Donald Trump nominon Eric Wendt si ambasador të SHBA në Shqipëri
Presidenti i SHBA Donald Trump propozon që Eric Wendt të jetë ambasadori amerikan në Shqipëri.
Në një njoftim për shtyp nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, lidhur me nominimet dhe tërheqjet e deleguara në Senat, sqarohet pozicioni i menduar për Wendt.
“Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë“, shkruhet në njoftimin për media nga Shtëpia e Bardhë.

Që prej largimit të Yuri Kim në qershor 2023, SHBA nuk ka ambasador në Shqipëri. Aktualisht, detyrën e ambasadorit amerikan në vendin tonë e ushtron e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn.
Gjatë kohës që Biden ishte president, ai nominoi në këtë post David J. Kostelancik. Por kandidatura e tij u zvarrit derisa u “dogj”. Ai doli para Senatit, por emri nuk arriti të hidhej për votim.
Donald Trump ka caktuar një gjeneral në këtë post dhe prezenca e tij në Tiranë pritet të jetë shumë e fortë.
/Shqip.com