Lajme

Merret peng biznesmeni i ndërtimit dhe i call center-ave, Florian Sula nga Hysen Neza, Kevin Neza dhe Jurgen Neza (VIDEO)

Screenshot

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi morën me forcë një 32-vjeçar, biznesmen dhe e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kërcënuar dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, me qëllim përfitimin e parave.

Biznesmeni i marrë peng është Florian Sula, i njohur edhe si sipërmarrës i call centerave.

Në pranga kanë rënë Hysen dhe Kevin Neza, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i këtij të fundit, Jurgen Neza.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit, “blutë” sekuestruan 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.

Autorët i kanë kërkuar biznesmenit shumën e 2 mln euro për ta lënë të lirë. Fillimisht i kanë kërkuar 2 mln euro më pas i kanë thënë për 1 mln euro dhe në fund e kanë lënë për 500 mijë euro.

Policia bëri publike detajet e kësaj ngjarje:

“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”. Në kuadër të operacionit: u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare”, thuhet në njoftimin e “bluve”.

/Shqip.com