Lajme

E vërteta e “revoltës” së Spiropalit dhe Shalsit në grupin e PS

Pasditen e sotme në disa media dhe rrjete sociale u përhap lajmi për një “kryengritje” brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku përmendeshin emrat e dy figurave të rëndësishme në radhët e socialistëve, Elisa Spiropalit dhe Eduart Shalsit si deputetë që kinse kishin dalë hapur kundër qëndrimit të mazhorancës, të cilët unanimisht vendosën rrëzimin e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.

SPAK, ndaj ish-zv/kryeministres, ka ngritur disa akuza për abuzime me tenderat tek procedura e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës.

Megjithatë, sipas burimeve nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, realiteti rezulton ndryshe nga sa u raportua për “revoltë” apo “kryengritje”.

Mbledhja e kësaj të hëne kishte si kryefjalë imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të saj.

Burime për Shqip.com theksojnë se në asnjë moment Spiropali dhe Shalsi nuk kanë shprehur publikisht ndonjë revoltë apo kundërshtim të hapur gjatë diskutimeve.

Burimet bëjnë me dije se situata që u interpretua më pas si “kryengritje” lidhet thjesht me momentin e votimit, kur dy deputetët nuk kanë ngritur dorën, ndryshe nga shumica e kolegëve të tjerë socialistë.

Ky veprim është interpretuar më pas në mënyra të ndryshme, duke u kthyer në një lajm të përhapur me shpejtësi në media si një përplasje apo revoltë brenda grupit të PS.

Në fakt, sipas të njëjtave burime, nuk ka pasur as debate të forta dhe as qëndrime të artikuluara publikisht nga Spiropali dhe Shalsi kundër vendimit të grupit. Për këtë arsye, ajo që u raportua pasditen e sotme është më tepër një interpretim mediatik apo një “skup” politik, sesa një kryengritje e mirëfilltë brenda mazhorancës.

Lexo edhe:
“Plas” në grupin e PS? Mediat: Spiropali dhe Shalsi nisin “kryengritjen”: T’i hiqet imuniteti Ballukut!

/Shqip.com