Lajme

PS refuzon SPAK për Ballukun, nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres. Rama: S’ka akuzë për korrupsion

Partia Socialiste ka vendosur të refuzojë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

Vendimi i maxhorancës u bë publik sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja argumentoi se pas largimit nga detyra të Ballukut, tashmë ka një realitet të ri dhe SPAK mund t’i vijojë hetimet edhe pa masën e arrestit.

Rekomandimi i PS-së është depozituar tashmë në Kuvend, ku ndodhet edhe rekomandimi i demokratëve që kërkojnë hapjen e rrugës për arrestimit të ish-zv.kryeminsitres.

Votimi në Parlament është parashikuar për t’u zhvilluar ditën e enjte, në të njëjtën ditë kur demokratët kanë paralajmëruar një protestë kombëtare.

Kryeministri Edi Rama tha se nëse prokurorët vijnë në kuvend për të kërkuar heqjen e lirisë së një deputeti, duhet të armatosen me prova. Sipas tij në rastin e Belinda Ballukut, PS del me qëndrim të prerë për kundërshtimin e dhënies së lejes për arrest.

“Nuk është trysni por kryerje e detyrës tonë, sepse nuk keni kushtet për të pasur pranimin tonë. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun, por të mos fyejnë inteligjencën tonë duke thënë se rrezikon të prishë provat”, tha Rama.

Gjithashtu Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se Belinda Balluku do të vijojë të drejtojë qarkun e Fierit, edhe pas largimit nga pozicioni i zv.kryeministres.

Në përfundim të fjalës së tij për mbi një orë, kryeministri Rama falënderoi Ballukun për drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës për gjashtë vite duke shtuar se në përballjen me gjyqësorin ajo do të ketë në krah vetëm avokatët e saj.

/Shqip.com