Iu gjetën preparate dentare të skaduara, arrestohen administratori i klinikës ‘Golden Dental’, Ervin Zeka dhe stomatologu Kejdi Myzyri
Ervin Zeka administrator i klinikës dentare Golden Dental dhe Kejdi Myzyri stomatolog, janë arrstuar ditën e sotme. Një rast i aplikimeve të shërbimeve dentare me preparate të skaduara është goditur nga policia në Tiranë. Klinika dentare Golden Dental dyshohet se ka përdorur produkte dentare të skaduara prej disa vitesh.
Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin Ervin Zeka, që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialeshdentare të skaduara.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit Golden Dental, shtetasi Ervin Zeka, 40 vjeç dhe shtetasi Kejdi Myzyri, 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në klinikë Golden Dental.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Shtetasit Ervin Zeka dhe Kejdi Myzyri do të mbahen në qeli deri në zhvillimin e seancës për masën e sigurisë nga Gjykata e Tiranës.
©Shqip.com