Lajme

Kurti dhe Osmani kujtojnë Betejën e Koshares: Dëshmi e lavdisë dhe sakrificës së UÇK-së për liri

26 vjet më parë, Beteja e Koshares shënoi një moment të paharrueshëm në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo betejë, që përmbylli ndarjen midis Kosovës dhe Shqipërisë, ishte një akt i pastër besimi dhe sakrifice për liri, i cili vazhdon të jetë burim frymëzimi për breza të tërë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu mirënjohje për ata që dhanë jetën në këtë luftë. Ajo theksoi se Beteja e Koshares është një simbol që do të mbetet gjithmonë i ndezur.

“Aty ku regjimi gjenocidal serb kishte ngritur një mur ndarës me Shqipërinë, ushtarët e UÇK-së ngritën një ideal dhe mbollën guxim dhe frymëzim për breza të tërë. Aty ku dukeshin të pamundura, ata arritën të sjellin fitoren,” ka shkruar Osmani. Po ashtu, presidentja shtoi se Kosharja ishte një akt i pastër besimi në liri, që tregonte se populli i Kosovës ishte i gatshëm të paguante çdo çmim për të arritur lirinë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjithashtu bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, ku përkujtoi betejën e lavdishme dhe sakrificat e luftëtarëve të UÇK-së.

“26 vjet më parë, me betejën e lavdishme të Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e saj, rrëzoi kufirin që ndante shqiptarët dhe që ishte aty që nga vitet 1913 e 1918,” tha Kurti. Në këtë betejë të rëndësishme ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, përfshirë komandantin Agim Ramadani, i njohur si “Katana”, dhe Sali Çekun. Beteja kishte gjithashtu pjesëmarrës nga shtete të ndryshme si Franca, Algjeria, Italia, Suedia dhe Britania, ndërsa ushtria serbe ishte mbështetur nga mercenarë rusë.

Kurti përkujtoi sakrificat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe tha: “Vijmë këtu te varret e dëshmorëve për t’u kujtuar se sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme ishte lufta e UÇK-së dhe çmimi i madh që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë, një liri që po e ndërtojmë së bashku.”

/Shqip.com