Vrasja e Liridona Ademajt, konfirmohen aktakuzat ndaj Naim Murselit dhe të arrestuarve të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
“Refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën shenjën PP.1.nr.256/2023, e datës 15.01.2025, të parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, Av. Teuta Zhinipotoku, më atë 26.02.2025 nga mbrojtësi i të akuzuarit Granit Plava, Av.Skender Gojani, më datë 04.03. 2025 dhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Av. Ndrecë Dodaj më datë 11.03.2025″, si të pabazuara”, thuhet në vendim, sipas mediave vendase.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
/Shqip.com