Lajme

Osmani i paralajmëron disa media: Nesër do të ndërmarrë të gjitha masat për ngritjen e padisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka cilësuar gënjeshtra raportimet e disa mediave që “ajo ka premtuar tokë për manastirin e Deçanit në këmbim të ftesës për Samitin e Demokracisë”.

Kështu, Osmani i paralajmëroi disa media që do të ngrisë padi kundër tyre dhe kujtdo që i publikon siç thotë ajo “një propagandë të tillë”.

Lajmi i publikuar në pseudo-portalet ‘Periskopi’, ‘Ekonomia Online’, ‘Gazeta Metro’, etj se kinse unë kam premtuar toka për manastirin e Deçanit apo për këdo tjetër në shkëmbim të ftesës për Samitin për Demokraci në ShBA është GËNJESHTËR”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani, po ashtu theksoi se Kosova është demokraci dhe e ka merituar ftesën.

“Miqtë tanë amerikanë nuk janë ata që ndonjëherë kanë kërkuar toka të Kosovës”.

“Ndërkaq koha e atyre politikanëve që qesin në treg tokën e Kosovës ka perënduar njëherë e përgjithmonë”, përfundoi Osmani.

Kosova pritet të jetë Pjesë e Samitit për Demokraci, të organizuar në dhjetor të këtij viti nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Më parë, ishte raportuar se Kosova nuk do të ftohet nga SHBA-ja në atë samit. /Shqip.com