Debate në Kuvend për dhunën ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Balla-opozitës: Edhe për Azem Hajdarin akuzuat se e vrau Fatos Nano. Spiropali: Folët para policisë, kërkoni falje!

Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga debati pas dhunës barbare që u ushtrua një ditë më parë ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Opozita akuzoi mazhorancën nga foltorja e Parlamentit se nxit veprimin e grupeve kriminale me gjuhën e urrejtjes që përçon në opinionin publik. Madje përfaqësues të opozitës u shprehën përmes akuzave të drejtpërdrejta se pas ngjarjes qëndron kryeministri Edi Rama si porositës, ndërsa ministrin e Brendshëm, Taulant Balla e quajtën “ekzekutuesin e porosisë”.
I vënë në shënjestër nga opozita, ministri i Brendshëm Taulant Balla reagoi duke iu drejtuar deputetëve të opozitës se ranë në batakun e Berishës.
Balla hoqi paralele me vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator 1998 dhe kujtoi se atëherë Sali Berisha doli dhe akuzoi kryeministrin e asaj kohe Fatos Nano për ngjarjen, por më pas zbardhja e ngjarjes tregoi një dinamikë krejt tjetër.
“Policia e zbardhi ngjarjen, e bëri dhe atë publike. Por duhet të kishte një reflektim. Te rruga e Salës e njëjtë porosi. U porosit nga Rama, dhe u ekzekutua nga Taulant Balla. Shqiptarët i dini budallenj? Kolegët e zotit Mëngjesi ishin ata që ndihmuan për zbardhjen e ngjarjes. Ministri i Drejtësisë reagoi për ngjarjen dhe u solidarizua. Por si u politizua kjo ngjarje? Siç politizuat dhe pr.ligjin për sistemin e adresave. I uroj shërim të shpejtë avokatit dhe drejtësia të bëjë punën e saj.”, -tha Balla.
Ministri i Brendshëm vijoi më tej:
“E kuptoj Gjekmarkajn që iu desh të shkonte te kati i tetë te Mustafa Matohiti, për të gjetur një fjalë. Helbete e vuani shumë në fakt si nënkryetar i parë i PD-së, por nuk do të kisha reaguar nëse dhe ju nuk do kishit rënë në pellgun e baltës që familja Berisha, vetë Berisha dhe zëdhënësit, nxituan dje të përdornin politikisht një ngjarje të rëndë. Për Berishën kjo nuk është e re. Ngjarja e djeshme më ngjau me reagimin e parë të Berishës në 12 shtator 1998, ku u vra lideri historik i vërtet i PD, Azem Hajdarit. Doli në konferencë dhe emërtoi Nanon si urdhërues të vrasjes. Historia tregoi diçka ndryshe, policia konfirmoi diçka ndryshe”, vijoi Balla.
Akuzave dhe sulmeve të opozitës iu përgjigj edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali u shpreh se opozita dhe ish-kryeministri Sali Berisha, akuzuan kreun e qeverisë Edi Rama për ngjarjen, referuar deklaratave të bëra ditën e djeshme nga anëtarë të opozitës dhe Berisha nga “Rruga e Shpresës”.
“Jeni po ju që akuzoni me të parën kundërshtarin politik Edi Ramën për çdo gjë që ndodh në faqen e dheut. Siç ishte rasti dje me zotin Mëngjesi që i identifikoi policia. Para se të prisnit hetimin e policisë ju shpallët fajtorin, Edi Ramën. Ata që shpallin fajtorin nuk kanë decensën më minimale të kërkojnë falje. Shërim të shpejtë zotit Mëngjesi dhe lutemi për të”, tha Spiropali.
Sulmi ndaj avokatit Sokol Mëngjesi
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua për shkak të detyrës. Ai ka përfaqësuar një palë që e ka fituar në proces gjyqësor çështjen e pronësisë në shkallë të parë edhe në Apel. Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet që kanë pasur ndaj avokatit dhe studios ligjore “ALTERUM SHPK”. Disa prej përfituesve nuk kanë rënë dakord me shpenzimet në studion ligjore.
Kanë qenë më total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte si avokat Mëngjesi dhe një nga 8 trashëgimtarët nuk ka pranuar të zbatojë kontratën mes Mëngjesit dhe 8 trashëgimtarëve. Çështja është fituar në dy shkallët e gjyqësorit nga 8 trashëgimtarët që përfaqësonte avokati. Në të tilla kushte, avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur dhe dyshohet që vetëm Dritan Nano nuk ka pranuar.
I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Takimi i para një muaji ka qenë i fundit para dhunës, sqarues, por nuk kanë rënë dakord, pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore. Çështja për të cilën bëhet fjalë është një truall toke ku rezultojnë pronarë 8 anëtarët, ku momentalisht mbi këtë truall është ndërtuar.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, 3 persona kanë kryer sulmin, një i ka pritur me makinë, ndërsa një i pestë është ndaluar si organizator i sulmit. Dritan Nano dyshohet se ka porositur dhunën ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Vijojnë të jenë në kërkim Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku. Ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka larguar tre autorët nga vendi i ngjarjes me një makinë tip “Audi”. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ofruar 20 mijë euro për këdo që jep informacion që çon në arrestimin e autorëve të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Organizatori i sulmit Dritan Nano është arrestuar ditën e djeshme, ndërsa Dorian Alia është vetëdorëzuar.
Në kërkim mbeten tre anëtarë të tjerë pjesëmarrës në sulm, Elton Kasaj, Romario Tabaku dhe Drivald Alia.
/Shqip.com