Lajme

Kurti për mosliberalizim të vizave: Është vendim i padrejtë dhe dritëshkurtër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi për mosliberalizimin e vizave për kosovarët është i “padrejtë” dhe “dritëshkurtër”, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata Kurti i ka bërë në takimin e Komisionit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, teksa ka përmendur reformat që kanë ndërmarrë në sistemin e drejtësisë, duke thënë se “janë në agjendë për reformë evropiane”.

“Kemi filluar reformat rrënjësore në drejtësi me veting dhe ligjin për pasuri të pajustifikueshme. Kemi intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit Këto reforma do të forcojnë shtetin e së drejtës. Kemi themeluar struktura ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian. Kemi rishikuar dhe miratuar planin kombëtar për zbatimin e MSA-së 2021 2025, kemi rishikuar planin  e agjendës për reforma evropiane ERA 2.

Këto edhe tema të tjera do të diskutohen hollësisht në ketë komision sot e nesër dhe këto janë prioritete edhe në agjenda për reforma evropiane. Edhe zëri i qytetarëve të Kosovës duhet të dëgjohet nga ju. Veprimi për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës është i padrejtë dhe dritëshkurtër”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti në këtë takim ka përmendur edhe zhvillimin ekonomik, duke bërë të ditur se ka pasur rritje të importeve dhe se qeveria ka menaxhuar me sukses pandeminë.

“Shpesh them se Bashkimi Evropian fillon në shtëpi dhe duhet të rritet këtu nga brenda, por na duhet ndihma nga jashtë, pra ndihma nga BE-ja. Ne jemi te përkushtuar për të intensifikuar përmbushjen e reformave dhe jemi në rrugë te mbarë. Ndryshimet demokratike në Kosovë kanë sjellë stabilitet dhe deri në fund të këtij viti pritet të rritet edhe zhvillimi ekonomik. Kemi pasur rritje të hyrave importeve etj. Kemi menaxhuar pandeminë dhe jemi vendi i parë në rajon me mesataren e numrit të vaksinave”, shtoi Kurti.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili  kritikoi Bashkimin Evropian se “nuk e ka mbajtur fjalën” për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Konjufca në takimin e MSA-së.

Sipas tij, BE nuk do të jetë e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në të.

Konjufca tha se që nga zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt, në Kosovë ka vullnet politik për rrugën drejt integrimit evropian.

“Jemi plotësisht të bindur se integrimi nuk është proces i njëanshëm, por është i bazuar në procesin reciprok. Ne e mendojmë BE-në si një sistem të vlerave të demokracisë drejtësisë e sigurisë që duhet të e ndërtojmë këtu në Kosovë dhe vetëm kështu transformohemi duke u bërë Bashkim Evropian.

Por as BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pika më kritike e BE-së ka të bëjë me zgjerimin. U bënë 8 vite kur shteti i fundit iu bashkua Be-së dhe nuk mbaj mend që procesi i zgjerimit është në krizë sikur sot. Bashkimi Evropian nuk i ka dalë zot Kosovës në një premtim e bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. Regjimi i vizave ende mbetet në fuqi për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai./SHQIP.com