Limaj për hapjen e arkivave të UÇK-së: Bislimi s’e di çka ka bërë

Ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Haradinaj, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga qeveria aktuale “të respektojë të kaluarën e këtij populli”, duke shtuar se “hapja e arkivave të UÇK-së e barazoi Kosovën me një shtet terrorist”, transmeton Shqip.com.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate derisa shprehet dyshues lidhur me atë që po diskutohet në Bruksel, akuzon zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi se nuk e di çfarë ka bërë.

“Së pari kjo është tendencë për të ndryshuar narracionin që ka ndodhur në Kosovë. Fatkeqësisht edhe për të krijuar diçka që s’ka dhe për ta kushtëzuar atë që në fakt është duke e fshehur. Në negociata të tilla duhet të jeni të kujdesshëm se në çfarë obligime po e futni shtetin tuaj”, thotë Limaj.
“Tash e sa vite ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, edhe unë kur kam qenë në bisedime. Kur ne ia kemi kërkuar hapjen e arkivave. Shiko çka ndodhi në Parlamentin Europian. Kur ne ia kemi kërkuar Serbisë hapjen e arkivave vazhdimisht na kanë thënë hapni edhe ju tuajat”, shpjegon ai për RTK-në.
“Arkivat tona i ka pas NATO, i ka pas UNMIK-u. Për çfarë arkiva po flasim? Kjo mua më shqetëson më shumë, ai (Besnik Bislimi) s’e di se çka ka bërë. Prandaj edhe e relativizioi ai. Shiko me çka e përfundon debatin, me çfarë diskutimi. Mënyra se si e arsyeton një marrëveshje. ‘S’kemi çka fshehim ne’, shiko çfarë arsyetimi”, sqaron Limaj.
Ai më tej tha se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë çka të fsheh, por nuk krahasohet me Serbinë që të dyja palët të hapin arkivat. /Shqip.com