Lajme

Nënkryetarja e Kuvendit: U dakorduam që javën tjetër të caktohet seanca e radhës

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë pas mbledhjes së kryesisë se janë koordinuar me të gjitha partitë politike që javën e ardhshme të caktohet seanca e radhës.

Kjo si rezultat i takimeve punuese për MSA-së gjatë kësaj jave.

“Kemi një numër të madh të deputetëve që janë të angazhuar në pjesën e kësaj pune dhe takimet do të mbahen në sallën plenare, për shkak të numrit më të madh të pjesëmarrësve”, ka thënë ajo.

Mbledhja e kryesisë së Kosovës.

“Ka qenë dakordim i të gjithëve që të mblidhemi javën që vjen për ta caktuar seancën e radhës që të sigurohemi që t’i kemi të gjithë deputetët e pranishëm dhe të mos ndërhyjmë në punën e deputetëve që janë të përfshirë në angazhime me MSA-në”, ka thënë deputetja gjatë konferencës për media.

Ishte paralajmëruar që do të caktohet seanca ku do të flitet për gazin.

Opozita po e kritikon Qeverinë që nuk po  e pranon projektin amerikan për gazin.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk e kanë refuzuar asnjë projekt, por kanë kërkuar më shumë informacion mbi këtë. /Shqip.com